Një operacion i koordinuar ndërkombëtar kundër rrjeteve kriminale që vepronin në Dark Web ka përfunduar me 354 të arrestuar në 14 vende të botës. Gjatë aksionit u sekuestruan mbi 5.7 tonë lëndë narkotike, 209 armë zjarri, si dhe para cash dhe kriptomonedha me vlerë mbi 210 milionë euro.
Operacioni, i koduar “TorNado”, u drejtua nga Europol në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese të 14 shteteve dhe u zhvillua nga maji i vitit 2025 deri në tetor 2026. Në kuadër të tij u kryen qindra kontrolle në banesa, me qëllim identifikimin dhe goditjen e shitësve dhe blerësve të mallrave të paligjshme në platformat e fshehta online.
Hetimet u përqendruan te përdoruesit e pesë prej tregjeve kryesore të Dark Web-it, të cilat ishin mbyllur më herët nga autoritetet: Archetyp, Bohemia, Nemesis, Kingdom dhe Tor2Door. Pas ndërhyrjeve ndaj këtyre platformave, hetuesit vijuan punën për identifikimin e personave që fshiheshin pas llogarive dhe aktivitetit të tyre kriminal.
Në shënjestër u vunë gjithashtu shitës dhe blerës që operonin përmes forumeve të specializuara, dyqaneve individuale online dhe aplikacioneve të komunikimit të enkriptuar.
SHBA kryeson me numrin e arrestimeve, pjesë e operacionit edhe Mali i Zi
Shtetet e Bashkuara regjistruan numrin më të madh të arrestimeve, me 132 persona, të ndjekura nga Mbretëria e Bashkuar me 59, Hungaria me 45, Gjermania me 41 dhe Franca me 23 të arrestuar.
Në operacion morën pjesë gjithashtu Holanda, me 12 arrestime, Sllovenia me 11, Austria me 6, Irlanda me 5, Çekia me 4, Australia me 1, Zelanda e Re me 13 dhe Finlanda me 1 të arrestuar.
Pjesë e aksionit ishte edhe Mali i Zi, ku autoritetet policore zhvilluan ndërhyrje në kuadër të hetimeve, megjithëse Europol nuk ka publikuar një numër arrestimesh për këtë shtet.
Mbi 5.7 tonë drogë dhe 209 armë të sekuestruara
Bilanci i operacionit përfshin sekuestrimin e rreth 950 kilogramëve lëndë narkotike në vendet evropiane. Ndër sasitë më të mëdha të konfiskuara janë 150 kilogramë amfetaminë në Gjermani, 150 kilogramë ketaminë në Mbretërinë e Bashkuar, 40 kilogramë MDMA në Holandë dhe 50 kilogramë kanabis në Francë, krahas sasive të kokainës.
Autoritetet sekuestruan gjithashtu kërpudha halucinogjene, cigare elektronike që përmbanin THC dhe më shumë se një milion tableta barnash me recetë.
Në vendet evropiane u konfiskuan 57 armë zjarri dhe municione, si dhe mbi 60 milionë euro në para cash dhe kriptomonedha.
Ndërkohë, vetëm në Shtetet e Bashkuara u sekuestruan mbi 4.8 tonë drogë, 152 armë zjarri dhe më shumë se 150 milionë euro në para dhe kriptomonedha.
Europol: Tregjet kriminale po përshtaten me shpejtësi
Europol luajti një rol qendror në koordinimin e operacionit, duke ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë në Çeki dhe Slloveni, shkëmbim të informacionit në kohë reale dhe analiza forenzike për gjurmimin e transaksioneve të paligjshme.
Përmes analizës së të dhënave dhe gjurmimit të transaksioneve në blockchain, agjencia ndihmoi në identifikimin e objektivave kryesore dhe zbulimin e lidhjeve mes rrjeteve kriminale që vepronin në vende të ndryshme.
Operacioni evidentoi gjithashtu ndryshimet në mënyrën se si funksionojnë tregjet kriminale në Dark Web. Sipas Europol, edhe pas mbylljes së platformave të mëdha, aktiviteti kriminal zhvendoset me shpejtësi në tregje të reja, forume të specializuara dhe aplikacione komunikimi të enkriptuara.
Një tjetër prirje është fragmentimi i këtyre tregjeve, ku platforma të ndryshme specializohen në veprimtari të caktuara kriminale, ndërsa komunikimi ndërmjet përdoruesve shtrihet përtej Dark Web-it, duke përfshirë edhe shërbime të enkriptuara.
Operacioni “TorNado” vjen pas aksioneve të mëparshme ndërkombëtare RapTor (2025), SpecTor (2023), Dark Huntor (2021) dhe DisrupTor (2020), të cilat synuan goditjen e rrjeteve kriminale që shfrytëzonin internetin e fshehtë për trafik droge, armësh dhe veprimtari të tjera të paligjshme.















