Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër rrjeteve kriminale që veprojnë në të ashtuquajturin ‘Dark Web’ ka çuar arrestimin e 354 personave dhe sekuestrimin e sasive të mëdha të drogës, armëve të zjarrit dhe parave.

Sipas njoftimit të 'Europol' operacioni, i koduar “TorNado”, u zhvillua nga maji i vitit 2025 deri në tetor të vitit 2026, me pjesëmarrjen e agjencive ligjzbatuese nga 14 shtete. Koordinimi i tij u drejtua nga Europoli, agjencia e Bashkimit Evropian për bashkëpunimin policor.

Gjatë operacionit u zhvilluan qindra ndërhyrje policore në vende të ndryshme të botës, me objektiv goditjen e rrjeteve kriminale të përfshira në trafikimin e drogës dhe armëve përmes platformave të fshehta të internetit.

Numri më i madh i arrestimeve u regjistrua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 132 persona, të ndjekura nga Britania e Madhe me 59, Hungaria me 45, Gjermania me 41 dhe Franca me 23 të arrestuar.

Në Evropë, autoritetet sekuestruan rreth një ton substanca narkotike dhe të kontrolluara, mes tyre amfetaminë, ketaminë, MDMA, kokainë dhe kanabis.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara u sekuestruan më shumë se 4.8 tonë drogë, 152 armë zjarri dhe rreth 150 milionë euro në para të gatshme dhe kriptovaluta.

“Operacioni nxori në pah qëndrueshmërinë në zhvillim të tregjeve të internetit të errët, të cilat vazhdojnë të përshtaten pavarësisht ndërprerjeve”, thuhet në njoftimin e Europolit.

Edhe zëvendësdrejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI), Christopher Raya, vlerësoi rëndësinë e operacionit, duke theksuar se në shënjestër ishte trafikimi i fentanilit dhe drogave të tjera vdekjeprurëse përmes Dark Web-it.

“Ne identifikuam shitës të mëdhenj në rrjetin e errët”, deklaroi Raya, duke shtuar se autoritetet arritën të çmontonin edhe elementët kryesorë të rrjeteve të tyre kriminale, të cilët u mundësonin të vijonin aktivitetin.

Dark Web është një pjesë e internetit që nuk aksesohet përmes motorëve të zakonshëm të kërkimit dhe ku përdoruesit mund të komunikojnë në mënyrë anonime. Kjo hapësirë përdoret edhe për aktivitete të ligjshme, por është shfrytëzuar nga rrjetet kriminale për shitjen e drogës, armëve dhe mallrave të tjera të paligjshme.