BE përgatit paketën e 22-të të sanksioneve kundër Rusisë, Von der Leyen paralajmëron mbështetje financiare për Ukrainën

Botë | 5 minuta më parë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se Bashkimi Evropian po përgatit paketën e 22-të të sanksioneve kundër Rusisë, si dhe një plan për mbulimin e nevojave financiare të Ukrainës për vitin 2027. Gjatë një deklarate në fillim të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Dublin, Von der Leyen tha se propozimet do të paraqiten përpara mbledhjes së ardhshme të Këshillit Evropian. “Ne do të vijmë me paketën e sanksioneve dhe propozimin për nevojat financiare përpara Këshillit të ardhshëm Evropian“, deklaroi ajo.

Shefja e Komisionit Evropian përshëndeti gjithashtu negociatat e paqes në Abu Dhabi, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së përfaqësuesve evropianë për të mbrojtur interesat e Bashkimit Evropian. “Ne do ta mbështesim Ukrainën, qoftë në kohë lufte apo në kohë paqeje”, u shpreh Von der Leyen.

Ndërkohë, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, kërkoi që negociatat të ndjekin një renditje të qartë, duke theksuar se prioritet duhet të jetë arritja e një armëpushimi dhe ndalimi i sulmeve ndaj civilëve në Ukrainë.

“Së pari duhet të ketë një sekuencë të duhur për të pasur një armëpushim, në mënyrë që bombardimet e civilëve të ndalen vërtet, dhe pastaj të ulemi dhe të flasim për marrëveshjen e paqes“, deklaroi Kallas. Ajo theksoi se vetëm pas arritjes së armëpushimit mund të diskutohet për arkitekturën e ardhshme të sigurisë në Evropë, duke kërkuar gjithashtu garanci që Rusia t’i përmbahet detyrimeve të saj. Sipas Kallas, përqendrimi i debatit te arkitektura evropiane e sigurisë po e largon vëmendjen nga çështja kryesore, që është ndalimi i luftimeve dhe i viktimave në Ukrainë.

Gjatë deklaratës së saj, Kallas foli edhe për mundësinë e rikthimit të Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian, duke thënë se do ta dëshironte një zhvillim të tillë. Megjithatë, ajo pranoi se negociatat nuk do të ishin të lehta, për shkak të përvojës së largimit të Britanisë nga blloku evropian. Kallas theksoi se bashkëpunimi më i ngushtë mes Britanisë dhe BE-së do t’i bënte më të forta të dyja palët në aspektin ekonomik dhe të sigurisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme