E premte, 13 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Microsoft 365, Outlook dhe Teams në “kolaps” prej 10 orësh në mbarë botën
Lajme

Microsoft 365, Outlook dhe Teams në “kolaps” prej 10 orësh në mbarë botën

Shërbimet e Microsoft 365, Outlook dhe Teams janë përballur me një ndërprerje të gjerë që ka zgjatur rreth 10 orë, duke lënë mijëra përdorues në vende të ndryshme të botës pa akses në platformat e komunikimit dhe punës. Problemet janë raportuar si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në disa vende të Europës, ndërsa kompania vijon përpjekjet për rikthimin e plotë të shërbimeve.

Defekti ka prekur funksionimin e disa prej platformave më të përdorura të Microsoft, duke shkaktuar vështirësi për përdoruesit që mbështeten te posta elektronike Outlook, paketa Microsoft 365 dhe aplikacioni i komunikimit Teams.

Pavarësisht ndërhyrjeve të kryera, rikthimi i shërbimeve nuk ka ecur sipas pritshmërive. Vetë Microsoft ka pranuar se masat e marra deri tani nuk kanë dhënë rezultatin e synuar dhe se po shqyrtohen alternativa të tjera teknike për zgjidhjen e problemit.

Në një përditësim mbi situatën, kompania bëri të ditur se po monitoron ndryshimet e aplikuara në sistemet e prekura, ndërsa po punon për të rritur kapacitetin dhe për të zgjidhur çekuilibrat në menaxhimin e trafikut të të dhënave.

Microsoft përjashton sulmin kibernetik

Një nga shqetësimet kryesore pas ndërprerjes globale ishte mundësia që problemet të ishin shkaktuar nga një sulm kibernetik. Megjithatë, drejtues të kompanisë kanë bërë të ditur se deri më tani nuk ka asnjë provë që të lidhë incidentin me aktivitet keqdashës apo cenim të sigurisë.

Charles Lamanna, nënkryetar ekzekutiv i Microsoft për Copilot, Agents dhe Platform, deklaroi se kompania do të publikojë informacione të tjera ndërsa hetimi teknik vijon, por theksoi se nuk ka shenja që ndërprerja të jetë pasojë e një sulmi kibernetik.

Edhe autoritetet australiane kanë marrë sqarime nga kompania. Ministri i Punëve të Brendshme i Australisë, Tony Burke, bëri të ditur se Microsoft nuk beson se bëhet fjalë për një sulm ndaj sistemeve të saj.

Sipas tij, dyshimet paraprake lidhen më shumë me një problem teknik, të ngjashëm me atë që ndodhi në vitin 2024 me kompaninë e sigurisë kibernetike CrowdStrike.

Paralelizmi me krizën e CrowdStrike në vitin 2024

Rasti i përmendur nga ministri australian rikthen në vëmendje një prej incidenteve më të mëdha teknologjike të viteve të fundit. Në vitin 2024, një përditësim problematik i softuerit të CrowdStrike shkaktoi bllokimin e miliona pajisjeve me sistem Windows, duke paralizuar përkohësisht shërbime dhe institucione në mbarë botën.

Pasojat u ndjenë në sektorë të shumtë, përfshirë transportin ajror, spitalet dhe bizneset, ndërsa anulimet e fluturimeve dhe ndërprerjet e aktivitetit ekonomik shkaktuan humbje që arritën në miliarda dollarë.

Megjithatë, deri në këtë fazë nuk është konfirmuar se ndërprerja aktuale e Microsoft ka të njëjtin shkak teknik me incidentin e CrowdStrike.

Për miliona përdorues që mbështeten çdo ditë te Microsoft 365, Outlook dhe Teams, episodi ngre sërish pikëpyetje mbi varësinë e institucioneve dhe bizneseve nga platformat digjitale dhe pasojat që mund të shkaktojë një defekt i vetëm në infrastrukturën teknologjike globale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.