Baton Haxhiu promovon dy librat e tij në Prishtinë Historia që zhbëri Jugosllavinë” dhe “Brenda Luftës”

Në Qendrën e Zhvillimit “Agim Lluka”, në Dukagjin Center, është mbajtur promovimi i dy librave të autorit Baton Haxhiu, “Historia që zhbëri Jugosllavinë” dhe “Brenda Luftës”, në të cilët trajtohen përjetime personale dhe ngjarje të rëndësishme historike të Kosovës
Gjatë promovimit, autori Baton Haxhiu foli për përmbajtjen e librave, rrugëtimin e tij krijues dhe ngjarjet historike që kanë shërbyer si bazë për shkrimet e tij.
Duke folur për veprat, Haxhiu theksoi se librat nuk janë ndërtuar domosdoshmërisht mbi mesazhe të caktuara, por mbi përjetime dhe ngjarje që ai i ka dokumentuar përmes shkrimit.
“ S'ka mesazh këtu, ka vetëm përjetim, edhe përjetimin e kam vendosur në libër”, u shpreh Haxhiu.
Ai veçoi gjithashtu rëndësinë e trajtimit të historisë së Kosovës në kontekstin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Sipas tij, njëra nga veprat synon t'u ofrojë lexuesve një pasqyrë mbi mënyrën se si proceset dhe zhvillimet në Kosovë ndikuan në shkatërrimin e Jugosllavisë.
Haxhiu përmendi ngjarje të periudhave të ndryshme historike, nga viti 1968 deri në vitin 1981, si dhe zhvillimet e viteve 1989-1990, përfshirë suprimimin e autonomisë së Kosovës.
Ai bëri të ditur se këto zhvillime janë trajtuar në kapituj të veçantë, duke sjellë ngjarje që, sipas tij, ndihmojnë në kuptimin e proceseve historike dhe politike të asaj kohe.
Promovimi shërbeu si mundësi për të pranishmit që të njihen më afër me veprat e autorit, temat që trajtojnë dhe përjetimet që qëndrojnë prapa tyre. /Telegrafi/




































