Nëse ke 100 euro për të blerë produkte ushqimore në Tiranë, me të njëjtën shumë mund të blesh rreth 46% më shumë në Prishtinë, 34% më shumë në Shkup, 25% më shumë në Podgoricë, 22% më shumë në Sarajevë dhe 17% më shumë në Beograd.
Diferencat në çmimet e ushqimeve mes kryeqytetit shqiptar dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor janë të ndjeshme, sidomos për produktet e konsumit të përditshëm, nga qumështi e vezët te djathi, mishi dhe frutat.
Diferencat janë edhe më të mëdha për produkte të veçanta. Vezët kushtojnë në Tiranë pothuajse dyfishin e çmimit të Prishtinës.
Qumështi është një tjetër produkt ku diferencat janë të forta. Një litër kushton mesatarisht 1.97 euro në Tiranë, kundrejt 1.05 eurove në Sarajevë, 1.12 eurove në Shkup, 1.13 eurove në Prishtinë, 1.16 eurove në Podgoricë dhe 1.27 eurove në Beograd.
Në krahasim me Sarajevën, qumështi është gati 88% më i shtrenjtë në Tiranë.
Edhe djathi vendas ka çmime dukshëm më të larta. Një kilogram kushton mesatarisht 11.4 euro në Tiranë, nga rreth 7 euro në Prishtinë dhe Shkup, 7.7 euro në Podgoricë, 9.2 euro në Sarajevë dhe 10.2 euro në Beograd.
Diferenca të konsiderueshme shfaqen edhe te mishi. Një kilogram fileto pule kushton 8.2 euro në Tiranë, nga rreth 6 euro në Beograd dhe Prishtinë. Mishi i viçit shitet mesatarisht me 15.2 euro për kilogram, ndërsa në Podgoricë dhe Prishtinë kushton rreth 11 euro.
Ndër produktet me diferencat më të larta janë edhe disa fruta e perime. Bananet kushtojnë 2.2 euro për kilogram në Tiranë, rreth 75% më shumë se në Shkup. Për sallatën jeshile, diferenca me Shkupin është edhe më e madhe, ndërsa te qepët Tirana është 75% më e shtrenjtë se Beogradi.
Megjithatë, jo të gjitha produktet janë më të shtrenjta në Shqipëri. Domatet kushtojnë më shumë në Beograd dhe Podgoricë, ndërsa orizi është pak më i shtrenjtë në Beograd.
Të dhënat e Numbeo bazohen në çmime të raportuara nga përdoruesit dhe krahasojnë kryeqytetet, jo mesataret kombëtare. Shporta ilustruese përmban nga një njësi të secilit prej 15 produkteve ushqimore dhe pijeve joalkoolike, pa përfshirë pijet alkoolike dhe duhanin.
Edhe Eurostat konfirmon çmimet e larta të ushqimeve në Shqipëri
Diferencat e evidentuara nga Numbeo përputhen me panoramën e përgjithshme që japin statistikat europiane.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, Shqipëria rezulton vendi më i shtrenjtë në Ballkanin Perëndimor për ushqimet, duke kaluar për herë të parë edhe mesataren e Bashkimit Europian.
Indeksi i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri arriti në 102.9% të mesatares së BE-së në vitin 2025, nga 99.6% në vitin 2024 dhe rreth 85% në vitin 2022. Në Serbi, niveli ishte 96.6% i mesatares europiane, në Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë 84.6%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut vetëm 74.3%.
Me fjalë të tjera, një shportë ushqimore që në Bashkimin Europian kushton mesatarisht 100 euro, në Shqipëri kushton rreth 103 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut vetëm 74 euro.
Diferenca bëhet edhe më e dukshme te produktet e bulmetit. Sipas Eurostat, në vitin 2025 çmimet e qumështit, produkteve të tjera të bulmetit dhe vezëve në Shqipëri ishin 35.6% mbi mesataren e Bashkimit Europian, duke qenë ndër kategoritë me çmimet më të larta në raport me tregun europian.
Ndërkohë, Shqipëria ka të ardhura për frymë sa 43% e mesatares së BE-së dhe konsum individual për frymë sa 48% e saj. Pra, konsumatorët shqiptarë përballen me çmime ushqimore të krahasueshme, madje më të larta se mesatarja europiane, ndërsa fuqia e tyre blerëse mbetet shumë më e ulët.
Ushqimet zënë rreth 40% të shpenzimeve të familjeve shqiptare, ndaj çmimet e larta të produkteve bazë rëndojnë drejtpërdrejt në buxhetet familjare.
Forcimi i vazhdueshëm i Lekut ndaj Euros gjatë viteve të fundit ka ulur koston në monedhën vendase të mallrave të importuara, por ky përfitim nuk është reflektuar në të njëjtën masë në çmimet e shitjes për konsumatorët./Monitor









