AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Analiza

Projektligji anti-SLAPP: Një nismë e pamjaftueshme për mbrojtjen e gazetarëve

Projektligji i qeverisë për mbrojtjen e gazetarëve dhe aktivistëve nga paditë abuzive konsiderohet si një hap i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët shohin me rezerva fuqinë e dispozitave për të parandaluar këto padi, kryesisht në procedimet penale dhe administrative.

Blerina GjokaBlerina GjokangaBlerina Gjoka
31 seconds më parë
në Analiza, Artikull kryesor, Artikull kryesor Analiza
Koha e leximit: 5 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Edi Rama me gazetarët pas një takimi në selinë e Partisë Socialiste në Tiranë. Foto: LSA.

Një nismë ligjore e qeverisë shqiptare në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian krijon një mekanizëm të ri ligjor, që synon të parandalojë dhe të mbrojë gazetarët dhe mediat nga paditë haptazi të pabazuara ose procedurat gjyqësore abuzive, të njohura si SLAPP.

Këto padi njihen si mjete kundër pjesëmarrjes publike dhe mund të përdoren për të ushtruar presion, për të frikësuar ose për të dekurajuar personat që shprehen apo veprojnë për çështje me interes publik.

Projektligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, i hedhur për konsultim publik, ofron mekanizma proceduralë për të mbrojtur personat që paditen për shkak të angazhimit në çështje me interes publik.

Masat kryesore në favor të të paditurit përfshijnë garancinë që shpenzimet gjyqësore t’i ngarkohet paditësit, mundësinë e rrëzimit të hershëm të padisë si ‘haptazi e pabazuar’, shqyrtimin me përparësi me qëllim shmangien e zvarritjes së proceset dhe lejimin e mbështetjes së të paditurit nga organizatat e shoqërisë civile, sindikatat apo subjekte të tjera që mbrojnë të drejtat e personave të angazhuar në pjesëmarrjen publike.

Po ashtu, parashikohen gjoba nga 50 mijë deri në 300 mijë lekë ndaj paditësit kur konstatohet nga gjykata që ai po përdor procedurat gjyqësore në mënyrë abuzive dhe dëmshpërblim ndaj të paditurit.

Mbrojtja nga këto padi parashikon një rreth të gjerë personash fizikë dhe juridikë, përfshirë gazetarët, subjektet mediatike, organizatat e shoqërisë civile, aktivistët, studiuesit, akademikët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut.

Problematika e padive SLAPP konsiderohet një çështje serioze për lirinë e shprehjes, pasi përmes presionit financiar, barrës së proceseve gjyqësore dhe kërcënimit me ndëshkim ligjor synohet dekurajimi i gazetarëve për të raportuar çështje me interes publik, nxitja e vetëcensurës apo kufizimi i rolit të medias si mbikëqyrëse e qeverisjes.

Një nismë e mirë, por “me boshllëqe”

Sipas një studimi të publikuar së fundmi nga qendra Res Publica, gazetarët dhe subjektet mediatike mbeten grupi më i ekspozuar ndaj proceseve gjyqësore që lidhen me lirinë e shprehjes në Shqipëri.

Nga 333 vendime të analizuara për periudhën 2022–31 korrik 2026, studimi evidentoi 171 raste me tregues të mundshëm të padive strategjike SLAPP, ndërsa 50 raste u klasifikuan me rrezik të lartë për padi abuzive. Në 190 vendime, ose 57% të totalit, ishin të përfshirë gazetarë, media apo aktorë të tjerë të informimit publik.

Organizatat e shoqërisë civile dhe ato për mbrojtjen e lirisë së medias vlerësojnë në parim nismën ligjore të qeverisë, por shprehin rezerva se ajo do të zgjidhë plotësisht problemet me përdorimin e këtyre padive si mjet presioni kundër lirisë së shprehjes.

Avokatja Irena Dule nga “Res Publica” i tha BIRN se nisma e re ligjore anti-SLAPP synon të mbrojë gazetarët, aktivistët dhe organizatat nga paditë gjyqësore që ngrihen jo për të mbrojtur një të drejtë, por për t’i frikësuar, për t’i heshtur ose për t’i penguar të flasin për çështje me interes publik.

“Është një hap i rëndësishëm, por ka ende nevojë për përmirësime dhe konsultimi publik është një mundësi për të plotësuar disa boshllëqe,” tha Dule.

Sipas saj, projektligji i jep mundësi një gazetari të kërkojë rrëzimin e një padie që është dukshëm e pabazuar, pa pritur përfundimin e të gjithë gjyqit, por nuk garanton që gjatë shqyrtimit të kësaj kërkese të ndalet përkohësisht gjykimi kryesor. Dule argumenton se “gazetari mund të vazhdojë të shpenzojë kohë dhe para për një proces, që ndoshta nuk duhej të kishte vazhduar fare”.

Një tjetër problem, sipas Dules, lidhet me mundësinë që dikush të kërkojë në gjykatë heqjen e përkohshme të një shkrimi investigativ, pa pritur vendimin përfundimtar. Në këtë rast, projektligji nuk vendos garanci të posaçme për raste të tilla.

“Edhe nëse gazetari e fiton më vonë gjyqin, informacioni mund ta ketë humbur aktualitetin dhe dëmi ndaj lirisë së shprehjes mund të jetë shkaktuar tashmë,” theksoi Dule.

Ajo theksoi se ka nevojë për qartësimin e mekanizmave të mbrojtjes për gazetarët gjatë proceseve gjyqësore dhe parandalimin e padive të përsëritura, si dhe rishikimin e gjobave të parashikuara, të cilat mund të mos jenë ‘mjaftueshëm dekurajuese’ për paditësit me fuqi të madhe ekonomike.

Përfaqësues të shoqërisë civile po ashtu e vlerësojnë nismën anti-SLAPP si hap të rëndësishëm në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pjesëmarrjes në jetën publike, por shohin me rezerva hapësirën e veprimit të këtij ligji.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH, e ka mirëpritur projektligjin si një hap i rëndësishëm drejt krijimit të mekanizmave ligjorë që mbrojnë gazetarët, aktivistët dhe organizatat e shoqërisë civile nga përdorimi abuziv i proceseve gjyqësore për t’i frikësuar, heshtur apo penguar në ushtrimin e veprimtarisë së tyre.

Megjithatë, kryetari i AGSH-së, Isa Myzyraj, sugjeron që nisma të mos jetë vetëm një përmbushje formale e detyrimeve në kuadër të integrimit europian.

“Shqipërisë i nevojitet një ligj që ofron mbrojtje reale, të shpejtë dhe efektive për gazetarët që përballen me padi abuzive,” i tha ai BIRN-it.

Asociacioni është përfshirë në procesin e konsultimit paraprak të projektligjit dhe ka dërguar 20 rekomandime, por Myzyraj thotë se vetëm dy prej tyre janë reflektuar plotësisht në draft dhe pesë të tjera pjesërisht.

“Kjo tregon se ende ekziston një diferencë e konsiderueshme ndërmjet garancive që kërkojmë dhe mekanizmave që parashikon projektligji,” shtoi ai.

AGSH vlerëson se projektligji duhet të garantojë procedura të përshpejtuara për rrëzimin e padive abuzive, mundësinë e pezullimit të procesit kryesor dhe kompetenca më të qarta për gjykatat që të ndërhyjnë edhe kryesisht kur evidentojnë elemente të tilla.

Një tjetër shqetësim i AGSH-së lidhet me transparencën dhe monitorimin e zbatimit të ligjit, përmes dokumentimit të rasteve SLAPP, publikimit të vendimeve gjyqësore dhe mbledhjes së statistikave periodike. Myzyraj kërkon që miratimi i nismës të bëhet pas një konsultimi gjithëpërfshirës dhe shqyrtimi të kujdesshëm parlamentar, ku komisionet përkatëse të marrin në konsideratë propozimet e gazetarëve dhe aktorëve të tjerë të interesuar përpara votimit në Kuvend.

Rezerva për kufizimet e projektligjit ka edhe Blerjana Bino, drejtoreshë e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SciDev), e cila vlerëson se nisma krijon instrumente të rëndësishme për mbrojtjen e gazetarëve, por nuk e adreson plotësisht rrezikun e padive SLAPP.

“Një boshllëk i rëndësishëm është se garancitë e propozuara nuk shtrihen te procedimet penale, ndërkohë që fyerja dhe shpifja vazhdojnë të jenë të kriminalizuara në Shqipëri, pavarësisht përjashtimeve të kufizuara të miratuara në janar 2026,” tha Bino.

“Ekziston kështu rreziku që presioni gjyqësor ndaj gazetarëve dhe zërave kritikë të zhvendoset nga proceset civile te ato penale,” shton ajo.

Bino sugjeron që reforma anti-SLAPP të shoqërohet me dekriminalizimin e plotë të fyerjes dhe shpifjes, si dhe me përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me rekomandimet e Këshillit të Europës.

Shqetësim tjetër i ngritur prej saj lidhet me ndryshimet e propozuara nga qeveria në Kodin e Procedurës Penale, të cilat rrezikojnë të krijojnë një kontradiktë në politikat ligjore të vendit.

Ndërsa Shqipëria ndërmerr reformën anti-SLAPP si pjesë të detyrimeve të integrimit europian, kërkesa për autorizim paraprak gjyqësor për publikimin e materialeve hetimore, kufizimet e raportimit dhe paqartësitë mbi përgjegjësinë ligjore mund të krijojnë mekanizma të rinj presioni ndaj gazetarisë investigativë.

Këto ndryshime, sipas saj, mund të dobësojnë në praktikë mbrojtjen që synon të garantojë projektligji anti-SLAPP.

Bino paralajmëron se efektiviteti i reformës nuk do të varet vetëm nga miratimi i ligjit, por nga aftësia e gjykatave për të identifikuar dhe ndalur në kohë paditë abuzive, për të ulur kostot për personat e shënjestruar dhe për të garantuar ushtrimin e gazetarisë pa frikën e ndëshkimit përmes proceseve gjyqësore.

 

 

Etiketa: Bashkimi EuropianBlerjana BinoIrena DuleIsa MyzyrajLiria e MediasPadite SLAPPProjektligji i qeverisë
Sensacioni mediatik Diella, një inovacion i rrezikshëm

Projektligji anti-SLAPP: Një nismë e pamjaftueshme për mbrojtjen e gazetarëve

06:36 | 13/11/2026
KLP emëron Joni Ketën në krye të BKH-së

Gjykata rrëzon KLP për përjashtimin e Zeqir Hodës nga zgjedhja e kryeprokurorit

17:28 | 12/11/2026
tirana courthouse entrance in daylight

Ish-kreu i Kadastrës në Fier arrestohet për tjetërsimin e 44 mijë m2 tokë shtet

16:39 | 12/11/2026
Përfundon mandati i drejtueses së BKH, Aida Hajnaj

KLP vendos masë disiplinore ndaj prokurores Albjona Papajani

13:59 | 12/11/2026
shkreli

SPAK kërkon dënimin me 1 vit burg të kryebashkiakut të Vaut të Dejës

13:24 | 12/11/2026
olivia anne snyder nknpdbdi6a0 unsplash scaled e1793892871683

“Mund të kishim pritur”: Lindjet cezariane, tashmë normë për gratë shtatzëna në Greqi

13:22 | 12/11/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.