Rritet frika për luftë me Iranin/ SHBA shton prezencën ushtarake në Lindjen e Mesme, 200 avionë në rajon

12/11/2026 22:51

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shtojnë ndjeshëm praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, mes sinjaleve për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit me Iranin.

Sipas raportimeve të AlJazeera, Uashingtoni po zhvendos forca dhe pajisje ushtarake në rajon, ndërsa aleatët janë paralajmëruar të rrisin nivelin e gatishmërisë.

Lëvizjet ushtarake amerikane janë konfirmuar edhe nga ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon. Në një intervistë për televizionin i 24NEWS, ai deklaroi se SHBA-të po kryejnë përgatitje të gjera ushtarake, duke zhvendosur një numër të madh trupash dhe duke vendosur ambasadat në rajon në gjendje të lartë gatishmërie.

Sipas informacioneve të publikuara, SHBA-të kanë dislokuar rreth 200 avionë furnizimi me karburant dhe po përgatiten të dërgojnë një aeroplanmbajtëse të tretë në Lindjen e Mesme. Dy aeroplanmbajtëse amerikane raportohet se ndodhen tashmë në rajon.

Në të njëjtën kohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) thuhet se ka paralajmëruar Izraelin për mundësinë e një përballjeje të re ushtarake në shkallë të gjerë me Iranin në një të ardhme të afërt. Paralajmërime të ngjashme, sipas raportimeve, u janë përcjellë edhe vendeve të Gjirit Persik, të cilave u është kërkuar të rrisin gatishmërinë.

Zhvillimet vijnë në një moment kur presidenti amerikan, Donald Trump, ka dhënë sinjale se një marrëveshje e re me Teheranin nuk është më prioritet.

“Nuk kemi nevojë për një marrëveshje me Iranin. Ato ditë kanë ikur prej kohësh”, reagon Trump në platformën Truth Social.

Megjithatë, shtimi i pranisë ushtarake amerikane dhe deklaratat e zyrtarëve izraelitë kanë rritur shqetësimet për një përshkallëzim të ri në Lindjen e Mesme.

Top Channel