Rutte për Ukrainën: Ende herët për të thënë nëse paqja është më afër
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është shprehur skeptik sa i takon mundësisë së një marrëveshjeje të afërt paqeje në Ukrainë, duke deklaruar se është “shumë e vështirë të thuhet” nëse negociatat e ditëve të fundit e kanë afruar fundin e luftës.
Në një intervistë për AFP, Rutte vlerësoi përpjekjet diplomatike që po zhvillohen mes Shteteve të Bashkuara, vendeve evropiane dhe Ukrainës për t’i dhënë fund konfliktit, por theksoi se është ende herët për të nxjerrë përfundime konkrete.
“Është shumë e vështirë të thuhet”, deklaroi kreu i NATO-s, duke shtuar se negociatorët amerikanë, evropianë dhe ukrainas po kryejnë “një punë të madhe” në kërkim të një zgjidhjeje për luftën.
Deklaratat e Rutte vijnë në një moment kur aktiviteti diplomatik është intensifikuar. Prej disa ditësh po zhvillohen bisedime në formate të ndryshme mes përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane.
Të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, zhvilluan gjatë kësaj jave një seri takimesh në Abu Dhabi me negociatorë ukrainas dhe rusë. Më pas ata informuan partnerët evropianë mbi ecurinë e diskutimeve.
Pas bisedimeve në Emiratet e Bashkuara Arabe, delegacioni amerikan udhëtoi në Moskë për një takim me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa më vonë pritet të zhvillojë një tjetër takim në Dublin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Pavarësisht intensifikimit të kontakteve diplomatike, mbetet e paqartë nëse palët janë afruar drejt një marrëveshjeje konkrete për përfundimin e konfliktit që vazhdon prej më shumë se katër vitesh.
Negociatat po zhvillohen paralelisht me përplasjet ushtarake në terren dhe me qëndrime ende të largëta mes Moskës dhe Kievit mbi çështjet kyçe të luftës.
/rtsh.al./
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




