Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi ka folur në emisionin “Frontline” për kryebashkiakun Erion Veliajn, ku ky i fundit ka kërkuar të jetë pjesë e Asamblesë së PS-së të shtunën, qoftë edhe përmes një lidhjeje online.

Kushi u shpreh se kjo nuk është një çështje për të cilën vendos Partia Socialiste, por SPAK-u dhe drejtësia. Ajo theksoi se PS-ja nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e drejtësisë, ndërsa nënvizoi se të gjithë anëtarët e Asamblesë janë të ftuar të jenë pjesë e saj, në përputhje me statutin dhe rregulloren e partisë.

Sipas Kushit, bëhet fjalë për një rast të veçantë dhe të paprecedentë, ndaj fillimisht duhet pritur vendimmarrja e SPAK-ut dhe më pas forumet drejtuese të PS-së do të përcaktojnë mënyrën se si do të procedohet.

“Kjo nuk është vendimmarrje e jona, kjo është çështje e SPAK-ut dhe e drejtësisë, kështu që nuk na mbetet ne të vendosim se si do të jetë. Partia Socialiste nuk mund të ndërhyjë te SPAK-u. Unë mendoj se të gjithë anëtarët duhet të jenë të pranishëm. Në dijeninë time, nuk është Partia Socialiste ajo që vendos për këtë çështje, për vetë kushtet në të cilat ndodhet Erion Veliaj. Por, përtej kësaj, sigurisht që ne kemi një statut dhe një rregullore. Dihet se cilët janë anëtarët. Të gjithë anëtarët e Asamblesë janë të ftuar për të qenë pjesë. Në këto kushte, jemi në një rast të veçantë, të paprecedentë, për të cilin nuk mund të flas. Nuk e kemi hasur më parë një rast të tillë, por presim vendimmarrjen e SPAK-ut dhe më pas do të vendosin Kryesia apo forumet drejtuese të PS-së se si do të procedohet.”- tha Kushi.

Gjithashtu ajo bëri të ditur se në fokus të diskutimeve në Asamblenë ePS-së do të jenë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme të 9 majit.

“Në asamblenë e së shtunës ka disa çështje që do të diskutohen. Kemi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme të 9 majit. Ky është momenti që të fillojmë të angazhohemi me të gjitha strukturat, që nga organizatat e Partisë Socialiste, kudo në të gjithë territorin, por edhe me forumet e tjera drejtuese. Gjithmonë ka vend për ndryshime, për përmirësime, në funksion të objektivave, të qëllimit.

Sa i përket mundësisë që në mbledhje të bëhen publikë emrat e kandidatëve për kryetarë bashkie, Kushi nuk e konfirmoi një gjë të tillë. Ajo u shpreh se vendimmarrja do të bëhet pas diskutimeve në Asamble, ndërsa shtoi se në këtë mbledhje pritet të përcaktohen më shumë kriteret dhe procesi që do të ndiqet për përzgjedhjen e kandidaturave deri në fushatën e ardhshme.

 “Nuk mund ta them, sepse kjo do të jetë sigurisht pas diskutimeve dhe pas vendimmarrjes së përbashkët të Asamblesë. Nuk besoj se do të gjeni të gjithë emrat. Mund të kemi më shumë kriteret dhe procesin. Ne do të përcaktojmë procesin se si do të shkojmë te emrat. Unë besoj se më shumë sesa për emrat specifikë, në Asamble ne do të diskutojmë për procesin, hapat dhe çfarë do të ndodhë deri në fushatën e ardhshme.”- tha Nënkryetarja e Kuvendit.