Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka marrë vlerësime për zhvillimin e Akademisë së Sigurisë gjatë vizitës zyrtare në Itali, ku është pritur nga drejtori i Akademisë së Policisë italiane, Mario Viola.
Gjatë takimit, Hita theksoi se formimi profesional është një nga shtyllat kryesore për ndërtimin e një policie moderne dhe me standarde të larta, duke e cilësuar zhvillimin e Akademisë së Sigurisë si një prej prioriteteve të tij.
“Një polici profesionale dhe moderne ndërtohet mbi përgatitjen cilësore, integritetin dhe aftësitë e punonjësve të saj. Për këtë arsye, zhvillimi i Akademisë së Sigurisë është një nga prioritetet e mia. Synimi ynë është të zgjerojmë bashkëpunimin me institucionet tuaja arsimore përmes programeve të përbashkëta akademike, shkëmbimit të pedagogëve dhe ekspertëve, trajnimeve të specializuara”, u shpreh Hita.
Nga ana e tij, drejtori i Akademisë së Policisë italiane, Mario Viola, vlerësoi ecurinë e institucionit shqiptar, duke nënvizuar akreditimin e tij dhe marrëveshjet e bashkëpunimit të lidhura me akademi në rajon, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Vlerësoj progresin e Akademisë së Sigurisë të Policisë shqiptare, e cila tashmë është e akredituar dhe ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me shumë akademi në rajon, Evropë dhe ShBA. Jemi të lumtur që kontribuojmë në fuqizimin e saj. Akademia e Policisë italiane do të vijojë ta mbështesë përmes literaturës, trajnimeve, programit Master dhe çdo nevoje tjetër”, deklaroi Viola.
Në takim ishte i pranishëm edhe rektori i Akademisë së Sigurisë, Prof. Ilirjan Mandro, i cili falënderoi palën italiane për mbështetjen dhe kontributin në zhvillimin akademik e profesional të institucionit shqiptar.
Mandro vuri në dukje rëndësinë e përafrimit të sistemeve të arsimit policor dhe vijimit të bashkëpunimit në programin Master “Hetimi i Krimit”, në fushën e trajnimeve, shkëmbimit të lektorëve dhe ndarjes së përvojave në policimin në komunitet.
Bashkëpunimi mes dy akademive synon të forcojë përgatitjen profesionale të punonjësve të Policisë dhe, përmes saj, cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.

