
Gjigantët më të mëdhenj të rrjeteve sociale kanë arritur, gjatë muajve të fundit, një duzinë marrëveshjesh konfidenciale me paditës adoleshentë, të cilët pretendojnë se platformat u kanë dëmtuar shëndetin mendor. Shumat e paguara u mbajtën sekret, por Bloomberg Businessweek ka mësuar se shumica e tyre varionin nga 2 deri në 2,5 milionë dollarë.
Ndërkohë, vetëm gjatë dy javëve të fundit, Meta Platforms Inc. ka rënë dakord t’u paguajë dy prej këtyre adoleshentëve një shumë të përbashkët prej 7 milionë dollarësh, sipas personave të njohur me pagesat, të cilët kërkuan të mbeten anonimë, pasi bëhet fjalë për informacione konfidenciale.
Këto shifra të marrëveshjeve, të raportuara për herë të parë, ofrojnë një vështrim të rrallë mbi shumat që kompanitë janë të gatshme të paguajnë për të shmangur gjyqet e bujshme me përdorues adoleshentë, si dhe mbi rrezikun e madh financiar që paraqesin çështje të tilla. Rreth 9.800 padi për dëme personale janë aktualisht në pritje të shqyrtimit në gjykatat shtetërore dhe federale kundër Meta-s, YouTube-it të Google, Snap Inc. dhe TikTok Inc.
Një marrëveshje prej 2 milionë dollarësh me një adoleshent përbën vetëm një pjesë të vogël të 18 miliardë dollarëve që Meta ra dakord të paguante në gusht për një grup shtetesh që e kishin paditur platformën për dëmtimin e fëmijëve, përmes projektimit të funksioneve që krijojnë varësi, si lëvizja pa ndërprerje e përmbajtjes në ekran apo butoni “Pëlqej”.
Kjo shumë është gjithashtu vetëm një pjesë e miliarda dollarëve që kompanitë mund të përfundojnë duke paguar për rreth 2.000 distriktet shkollore që kanë ngritur padi të ngjashme dhe presin të marrin drejtësi në gjykatë. Megjithatë, ajo që i bën veçanërisht të rëndësishme këto marrëveshje shumëmilionëshe me adoleshentë individualë është numri i madh i çështjeve.
Të marra së bashku, këto padi për dëme personale, të ngritura në të gjithë vendin, mund t’i ekspozojnë kompanitë ndaj një tjetër detyrimi financiar që arrin në miliarda dollarë.
Mark Lanier, avokati kryesor në gjyq për dy prej katër paditësve, tha në një intervistë se nuk mund t’i konfirmonte apo mohonte shumat e veçanta të marrëveshjeve. Megjithatë, ai deklaroi se kompanitë “ofruan aq shumë para, sa klientët e mi nuk mund t’i refuzonin. Këto nuk janë shuma të parëndësishme. Besoj se këta janë gurët e parë të dominosë që do të rrëzohet, e më pas do të vijë një varg i tërë gurësh të tjerë”.
Në çdo marrëveshje, kushtet e së cilës janë bërë të njohura për Businessweek, kompanitë nuk kanë pranuar asnjë përgjegjësi për shkelje. Në procese gjyqësore të këtij lloji, “gjykimet, rrëzimet e padive dhe marrëveshjet janë të gjitha praktika të zakonshme”, deklaroi një zëdhënëse e Meta-s, duke shtuar se më shumë se një e katërta e padive për dëme personale, të përzgjedhura për gjykimet e para, u rrëzuan nga vetë paditësit.
“Është e pamundur të nxirren përfundime të përgjithshme për shifra të tilla, duke u bazuar në vetëm disa çështje të para të një procesi gjyqësor kaq kompleks, veçanërisht kur, edhe në këtë fazë të hershme, paditë janë tërhequr kaq shpesh”, tha ajo. Google dhe Snap nuk pranuan të komentonin për këtë artikull. TikTok nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Procesi i gjerë gjyqësor kundër kompanive të rrjeteve sociale për krijimin e varësisë nisi në vitin 2022, me padi për dëme personale, në të cilat pretendohej se produktet e këtyre kompanive shkaktonin ankth, depresion, dismorfi trupore dhe madje edhe vetëvrasje. Paditë u ngritën mbi bazën e një strategjie të re ligjore, që synonte t’i mbante kompanitë përgjegjëse për projektimin e produkteve të rrezikshme, dhe jo për përmbajtjen e publikuar nga përdoruesit e tyre.
Kjo strategji anashkalonte një ligj federal, të njohur si Seksioni 230 i Aktit për Mirësjelljen në Komunikime (Communications Decency Act), i cili për dekada u kishte siguruar kompanive mbrojtje nga paditë për përgjegjësi lidhur me përmbajtjen e publikuar nga përdoruesit. Më pas, edhe shkollat dhe shtetet ngritën padi të ngjashme, duke përdorur të njëjtën teori ligjore: se platformat kishin projektuar produkte që krijonin varësi dhe u jepnin përparësi fitimeve në dëm të sigurisë.
Gjyqtarët vendosën që çështjet, të cilat në atë kohë numëroheshin me qindra, të bashkoheshin në dy procese të mëdha gjyqësore për dëme masive (mass torts) — një në gjykatën shtetërore dhe një në atë federale — me qëllim thjeshtimin e mbledhjes së provave dhe të procedurave paraprake për katër kompanitë e paditura.
Kompanitë i mohuan akuzat, duke deklaruar se kishin investuar shumë në sigurinë e fëmijëve dhe kishin lançuar mjete për të mbrojtur adoleshentët në internet. Por, pas përpjekjeve të shumta për t’i rrëzuar paditë, platformat e rrjeteve sociale u përballën me një llogaridhënie ligjore duke filluar nga ky vit.

Pesë paditës në çështjet për dëme personale u përzgjodhën rastësisht për të shërbyer si raste bellwether — një term ligjor që nënkupton procese gjyqësore prove, të cilat tregojnë se si një juri reagon ndaj provave dhe argumenteve dhe u ndihmojnë palëve të negociojnë marrëveshjet për çështjet e mbetura. Deri në momentin kur ishte caktuar gjyqi i parë, numri i çështjeve të tjera ishte rritur me shpejtësi dhe kishte kaluar 5.000.
Në shkurt, çështja e parë bellwether u shqyrtua në Gjykatën e Lartë të Los Anxhelosit kundër Meta-s dhe YouTube-it. (TikTok dhe Snap arritën marrëveshje me paditësen 20-vjeçare pak para fillimit të gjyqit.) Pas një procesi gjashtëjavor, juria dha një vendim historik, duke i shpallur të dyja kompanitë përgjegjëse për dëmtimin e shëndetit mendor të paditëses. Juria i akordoi asaj 6 milionë dollarë dëmshpërblim: 4,2 milionë dollarë për t’u paguar nga Meta dhe 1,8 milionë dollarë nga YouTube.
Ky gjyq ndryshoi rrënjësisht panoramën e proceseve gjyqësore kundër varësisë nga rrjetet sociale. Që atëherë, numri i padive për dëme personale është pothuajse dyfishuar, sipas avokatëve të paditësve që drejtojnë proceset. Gjithashtu, u bë e qartë se sa i madh ishte dëmi reputacional që mund t’u shkaktonte kompanive një gjyq i bujshëm me një përdoruese adoleshente.
Përtej ndëshkimit financiar, vetë gjyqi u kthye në një spektakël publik. Qytetarët radhiteshin që në orën 3 të mëngjesit për të siguruar një vend në sallën e gjyqit. Mediat ngritën çadra në oborrin e gjykatës. Dokumente të brendshme komprometuese tregonin punonjës që i krahasonin platformat me makinat e lojërave të fatit, ose industrinë me kompanitë e mëdha të duhanit.
Drejtori ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, u përball me një turmë gazetarësh teksa hynte në gjykatë dhe iu përgjigj pyetjeve gjatë tetë orëve dëshmi. Paditësja tregoi se ishte aq e varur nga rrjetet sociale, saqë gjatë pushimit të drekës në shkollë futej në një kabinë tualeti për të lëvizur nëpër përmbajtjet e platformave, duke kaluar deri në 16 orë në ditë në Instagram. Disa anëtarë të jurisë shpërthyen në lot gjatë dëshmisë së saj.
Pas këtij gjyqi, marrëveshjet konfidenciale u bënë më tërheqëse, pasi u ofronin kompanive një mënyrë për t’i shpëtuar një vëmendjeje të tillë publike: të paditurit mund të mbanin jashtë dokumentacionit publik detaje të sikletshme rreth përdorimit të platformave nga adoleshentët, ndërsa drejtuesit mund t’i shmangnin pyetjet e vështira gjatë marrjes në pyetje në sallën e gjyqit. Sipas personave të njohur me negociatat private, të cilët nuk pranuan të identifikoheshin, kompanitë u bënë gjithnjë e më të interesuara për të arritur marrëveshje me paditësit e tjerë bellwether. Negociatat u intensifikuan.
Gjyqi i dytë bellwether ishte planifikuar të niste në korrik. Paditësi, një 15-vjeçar nga Panama City, Florida, identifikohej në dokumentet gjyqësore vetëm me inicialet R.K.C. Sipas pretendimeve të paraqitura në gjykatë, ai kishte nisur t’i përdorte platformat në moshën 8-vjeçare dhe, si adoleshent, kalonte deri në 10 orë në ditë duke lëvizur nëpër rrjetet sociale.
Detajet për dëmet e shkaktuara kufizoheshin në një listë problemesh të shëndetit mendor: pagjumësi, depresion, ankth, çrregullim të ngrënies kompulsive, çrregullim paniku dhe mendime vetëvrasëse. Hollësitë se si secila platformë pretendohej se i kishte shkaktuar ose përkeqësuar këto gjendje do të trajtoheshin gjatë gjyqit dhe do të bëheshin pjesë e dokumentacionit publik.
YouTube ishte kompania e parë që arriti marrëveshje me adoleshentin, duke rënë dakord në qershor t’i paguante pak më shumë se 2 milionë dollarë, sipas burimeve të njohura me marrëveshjen, të cilat kërkuan të mbeten anonimë për shkak të konfidencialitetit të çështjes. Një javë më vonë, TikTok arriti marrëveshje për 2,5 milionë dollarë.
Disa javë më pas, ishte radha e Snap. Më pas, 15-vjeçari e tërhoqi vullnetarisht padinë kundër të paditurit të vetëm të mbetur, Meta-s. Avokati i tij thotë se adoleshenti e tërhoqi çështjen për të shmangur publikimin e problemeve të tij të shëndetit mendor gjatë gjyqit dhe për të mos humbur fillimin e sezonit të futbollit.
Pasi R.K.C. tërhoqi padinë kundër Meta-s, një zëdhënëse e kompanisë publikoi deklaratën e mëposhtme: “Pretendimet nuk qëndruan kurrë dhe ky përfundim e bën të qartë se ne nuk do të tërhiqemi nga mbrojtja jonë kundër padive të pabazuara”.
Marrëveshjet që R.K.C. arriti me YouTube, TikTok dhe Snap ishin të gjitha konfidenciale. Alexandra Lahav, profesore në Fakultetin Juridik të Universitetit Cornell, e specializuar në proceset gjyqësore për dëme masive, tha se një nga arsyet pse të paditurit kërkojnë fshehtësi është të pengojnë paraqitjen e padive të reja. Kompanitë nuk duan që njerëzit të shohin shumat e marrëveshjeve dhe të nxitojnë të ngrenë padi të ngjashme, me bindjen se do të përfitojnë një dëmshpërblim të ngjashëm.
Në një proces gjyqësor për dëme masive, çështjet bellwether zakonisht kushtojnë më shumë për t’u zgjidhur me marrëveshje, sepse janë përgatitur për gjyq dhe data e shqyrtimit është afër. Paditësit kanë mbledhur më shumë prova dhe kanë shpenzuar më shumë kohë e burime.
Sipas Lahav, nuk ka gjasa që mijëra paditësit e tjerë në pritje të marrin dëmshpërblime po aq të larta, nëse marrin ndonjë shumë. Por është pikërisht numri i madh i çështjeve ai që përbën kërcënimin e vërtetë financiar për industrinë. “Aktualisht keni 9.000 pretendime, por universi i mundshëm i pretendimeve përfshin të gjithë adoleshentët në SHBA. Një fëmijë që sot është 10 vjeç mund të pësojë një dëmtim pas pesë vitesh. Sa të tillë ka?”, pyet ajo.
Fëmijë të ndryshëm i përdorin platformat në mënyra të ndryshme. Njëri mund të parapëlqejë TikTok-un, një tjetër YouTube-in, Meta-n ose Snap-in. Përvojat janë individuale. Prandaj, fakti që një kompani i paguan një shumë të caktuar një paditësi të veçantë nuk do të thotë se do t’i paguajë të njëjtën shumë paditësit të radhës. Po ashtu, nga kjo pagesë nuk mund të nxirret një përfundim i përgjithshëm për nivelin e përgjegjësisë së kompanisë në krahasim me platformat e tjera të rrjeteve sociale.
Gjyqet e ardhshme bellwether, me tre vajza adoleshente anonime në qendër të tyre, ishin planifikuar të nisnin këtë vjeshtë. Edhe një herë, hollësitë publike rreth vajzave dhe dëmeve që pretendohej se u ishin shkaktuar nga rrjetet sociale ishin të pakta. Ato identifikoheshin vetëm përmes inicialeve, moshës dhe shtetit ku jetonin. P.M.Y., 15 vjeçe, nga Nju Xhersi, pretendonte se varësia nga rrjetet sociale i kishte shkaktuar depresion dhe vetëdëmtim.

K.D.B., 18 vjeçe, nga Misisipi, përmendte të njëjtat dy probleme shëndetësore, si dhe një çrregullim të të ngrënit dhe ankth. S.J., 16 vjeçe, nga Ilinoisi, rendiste po këto katër probleme. Një gjyq do t’i bënte historitë e tyre më të qarta dhe do t’i fuste ato në dokumentacionin publik. Juria do të dëgjonte dëshmitë e vajzave dhe do të shqyrtonte të dhëna të tilla si historiku i përdorimit të rrjeteve sociale dhe kartelat e tyre mjekësore.
Në gusht, TikTok arriti marrëveshje me të tria vajzat në të njëjtën ditë, duke i paguar secilës nga 2,5 milionë dollarë. Pas kësaj, paditësja më e re, P.M.Y., tërhoqi padinë kundër tri kompanive të tjera.
Kjo la vetëm dy paditëse adoleshente, S.J. dhe K.D.B., të planifikuara për një gjyq të përbashkët në vitin 2026 kundër tri kompanive: YouTube, Snap dhe Meta. Në shtator, YouTube arriti marrëveshje me dy vajzat, duke i paguar secilës nga 2,25 milionë dollarë, sipas personave të njohur me marrëveshjen. Ndërsa gjyqi po afrohej, Meta arriti marrëveshje, duke u paguar dy adoleshenteve një shumë të përbashkët prej 7 milionë dollarësh. Më pas, në mes të procesit të përzgjedhjes së jurisë, edhe Snap arriti marrëveshje me dy vajzat, duke i dhënë fund zyrtarisht gjyqit. (Personat e njohur me pagesat nuk specifikuan ndarjen e shumës së paguar nga Meta apo shumën që pagoi Snap.)
Joseph VanZandt, avokat në studion ligjore Beasley Allen, përfaqësoi S.J. dhe po ndihmon në koordinimin e çështjeve të tjera për dëme personale në gjykatën shtetërore. Kur lajmi për marrëveshjet u bë publik, ai lëshoi këtë deklaratë: “Ky proces gjyqësor ka pasur gjithmonë si qëllim ta bëjë përdorimin e rrjeteve sociale më të sigurt për fëmijët dhe asgjë nga këto zgjidhje nuk e ngadalëson këtë përpjekje. Do të rikthehemi në sallën e gjyqit në mars dhe do të vazhdojmë derisa këto platforma të jenë të sigurta për fëmijët që i përdorin”. Dhjetë paditës, të përzgjedhur si çështje bellwether për vitin 2027, tashmë po përgatiten për gjyq.
Vala e padive të ngritura nga shtetet, shkollat dhe adoleshentët mund t’i ekspozojë gjigantët e rrjeteve sociale ndaj një “detyrimi financiar teorik kolektiv prej gati 400 miliardë dollarësh”, sipas një vlerësimi të Bloomberg Intelligence.
Nëse kompanitë vazhdojnë t’i zgjidhin këto çështje përmes marrëveshjeve, ato mund ta bëjnë këtë ngadalë, një nga një, ose mund të vendosin se “miliona dollarët e shpenzimeve ligjore, publiciteti jashtëzakonisht negativ dhe ndikimi i mundshëm rregullator e bëjnë të arsyeshme arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshjeje globale”, thotë Sarah London, partnere në studion ligjore Girard Sharp, e specializuar në proceset gjyqësore për dëme masive, por që nuk është e përfshirë në proceset kundër kompanive të rrjeteve sociale. “Këto janë vendime biznesi që secila industri do t’i marrë në varësi të kërcënimit me të cilin përballet”.
Sipas London, të dyja palët kanë arsye për të arritur marrëveshje. Paditësit adoleshentë shmangin ekspozimin publik në një dramë gjyqësore reale, të transmetuar në mbarë botën. Ajo thotë se mbrojtja mund të përfshijë në çështje mesazhet private të paditësve dhe episode poshtëruese nga e kaluara e tyre, duke e përshkruar përvojën e të qenit në qendër të një procesi bellwether si një “torturë” për një adoleshent.
Për kompanitë, arritja e marrëveshjeve mund të ndihmojë në shmangien e dëmit reputacional, rrezikut të pasojave të mëtejshme rregullatore, një vale padish të ngjashme dhe pasojave të kushtueshme për aksionarët. “Për to është financiarisht më e leverdishme të ruajnë fshehtësinë sesa të përballen me shqyrtimin publik”, thotë London. Pas publikimit të lajmit për marrëveshjen e Snap në mes të procesit të përzgjedhjes së jurisë këtë muaj, çmimi i aksioneve të kompanisë u rrit menjëherë me më shumë se 3%.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg