Vendosni fjalën kyçe....

Byzylyku me safirin e Romanovëve thyen pritshmëritë, kap 4.9 mln USD


Një byzylyk që përmban një safir gjigant, i cili dikur ishte pjesë e koleksionit të bizhuterive të kurorës perandorake ruse, është shitur për afro 5 milionë dollarë, duke tejkaluar ndjeshëm vlerësimin e bërë përpara ankandit.

Safiri Romanov, me formë jastëku dhe peshë 197,80 karatë, është vendosur në një byzylyk diamanti me dizajn gjeometrik nga argjendaria Cartier, sipas katalogut të shtëpisë së ankandeve Sotheby’s, e cila e shiti këtë bizhuteri të mërkurën në Gjenevë të Zvicrës, shkruan CNN.

Çmimi i shitjes prej 4,1 milionë frangash zvicerane (4,9 milionë dollarë) bëri që byzylyku të tejkalonte ndjeshëm vlerësimin paraprak prej 850 mijë deri në 1,7 milionë frangash zvicerane (1,02 deri në 2,04 milionë dollarë).

“Ky safir historik i jashtëzakonshëm e ka origjinën nga koleksioni legjendar i familjes Romanov”, thuhet në katalogun e ankandit. “Koleksioni i famshëm i carëve rusë konsiderohet gjerësisht si koleksioni mbretëror më luksoz dhe më me vlerë i krijuar ndonjëherë.”

Romanovët ishin dinastia e fundit perandorake ruse dhe sundimi i tyre përfundoi në vitin 1917, kur cari Nikolla II abdikoi nga froni në fillim të Revolucionit Rus. Një vit më vonë, familja u ekzekutua nga bolshevikët.

Nuk dihet saktësisht se kur Romanovët e morën safirin, por sipas katalogut të ankandit, ai mund të shihet së bashku me gurin e tij binjak në pjesën e përparme të fundit të një fustani të veshur nga perandoresha e ve Maria Feodorovna, nëna e Nikollës II, gjatë një balloje në vitin 1883.

Në atë kohë, safiri ishte vendosur në një gjerdan. Ndërsa në vitin 1971, kur u shit si pjesë e koleksionit të lënë nga Walska, ai ishte vendosur në një gjerdan tjetër, më të shkurtër, sipas shtëpisë së ankandeve.

Në vitin 2015, Cartier e vendosi safirin në byzylykun në të cilin shfaqet edhe sot.

“Byzylyku, me një element qendror prej kristali shkëmbor që mund të ndërrohet, nxjerr në pah si safirin historik të Romanovëve, ashtu edhe trashëgiminë e veçantë artistike të Cartier, të rrënjosur në periudhën e art deco-s”, thuhet në përshkrimin e Sotheby’s.

Edhe ankandet e mëparshme të bizhuterive të Romanovëve kanë arritur çmime shumë më të larta se vlerësimet paraprake.

Në vitin 2021, një karficë me safir dhe diamante, së bashku me një palë vathë që përputheshin me të, u shitën për 806.500 franga zvicerane (rreth 883.600 dollarë) në Sotheby’s, pothuajse dyfishi i kufirit të sipërm të vlerësimit përpara ankandit.