Miratohen rregullat e reja për pushimet e punonjësve operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Burgjeve
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin e posaçëm që përcakton rregullat, procedurat dhe llojet e pushimeve me ose pa pagesë, si dhe kushtet për përfitimin e lejes pa të drejtë page për punonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP).
Ky akt nënligjor, i propozuar nga ministri i Drejtësisë në zbatim të ligjit nr. 28/2026, synon “të garantojë zbatimin e njëjtë të rregullave dhe procedurave” në të gjitha strukturat qendrore dhe degët territoriale të institucionit.
Pushimi vjetor dhe shtyrja në rast sëmundjeje
Sipas vendimit, çdo punonjës operacional i Agjencisë përfiton “30 (tridhjetë) ditë kalendarike pushim vjetor të paguar”, gjatë të cilave trajtohet financiarisht me pagën e plotë të shërbimit. Pushimet mund të merren edhe të ndara në periudha të ndryshme dhe duhet të kryhen brenda vitit ose “deri në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës”. E drejta e pushimeve të pamarra parashkruhet brenda 3 vjetëve.
Nëse gjatë periudhës së pushimit vjetor punonjësi shtrohet në spital ose qëndron në shtëpi për shkak të sëmundjes apo aksidentit të vërtetuar me raport mjekësor, “pushimi vjetor shtyhet, sipas parashikimeve të Kodit të Punës”.
Pushimet e tjera me pagesë (ngjarje familjare)
Përveç pushimit vjetor, vendimi njeh tre raste të tjera kur punonjësit operacionalë përfitojnë ditë kalendarike me pagesë, të cilat nuk zbriten nga pushimi vjetor:
- 5 ditë për lidhjen e martesës së punonjësit;
- 3 ditë për lindjen e fëmijës (kur punonjësi është bashkëshorti ose bashkëjetuesi i nënës);
- 5 ditë për vdekjen e bashkëshortit, bashkëjetuesit, fëmijës, prindit, gjyshit apo gjyshes.
Këto pushime merren pa ndërprerje dhe në lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen, ndërsa në raste fatkeqësish familjare, dokumentacioni mund të dorëzohet edhe pas fillimit të pushimit, “jo më vonë se dita e parë e kthimit në punë”.
Pushimet pa pagesë dhe lejet për studime
Vendimi rregullon me detaje edhe tre kategori mungesash të justifikuara pa kompensim financiar, periudha e të cilave “nuk llogaritet në vjetërsi pune dhe as për efekt të ecurisë në karrierë”.
Pushimi pa pagesë për arsye shëndetësore familjare
Punonjësi përfiton “deri në 30 (tridhjetë) ditë pushim pa pagesë në rast sëmundjeje të rëndë të anëtarëve të familjes, bashkëjetuesit, të paraardhësve ose të pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë”, bazuar në raportin mjekësor.
Leja afatshkurtër pa të drejtë page
Mund të kërkohet për një afat “deri në 2 (dy) muaj” për arsye të provuara. Kërkesa bëhet të paktën 30 ditë para, por në rrethana të paparashikuara leja mund të nisë brenda 5 ditëve. Pas përfundimit, punonjësi kthehet në të njëjtën detyrë.
Leja afatgjatë pa të drejtë page (për kualifikime)
Zgjat “mbi 2 (dy) muaj dhe deri në 6 (gjashtë) muaj” dhe jepet ekskluzivisht “për studime ose kualifikime brenda ose jashtë vendit”. Nga kjo e drejtë përjashtohen drejtori i Përgjithshëm dhe drejtuesit e degëve territoriale. Miratimi i kësaj lejeje bëhet vetëm nga ministri i Drejtësisë, dhe pas përfundimit punonjësi kthehet në funksionin e mëparshëm ose në një të barasvlershëm.
Efektet financiare të këtij vendimi përballohen nga buxheti i miratuar i Agjencisë, ndërsa për zbatimin ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe vetë Agjencia e Mbikëqyrjes. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



