Pse nuk kallëzuar Edi Ramën? Ndreca: Nuk kemi provë direkte, zoti Veliaj është i paraburgosur
Akuzat politike të kryebashkiakut Erion Veliaj ndaj kryeministrit Edi Rama ishin një nga temat e kësaj të enjteje në studion e “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus.
I pyetur nga moderatori Ylli Rakipi se përse nuk e ka kallëzuar kryeministrin Edi Rama, avokati Plarent Ndreca tha se nuk kanë prova direkte për të depozituar, përveç fjalës së zotit Veliaj.
Sipas tij, për këtë arsye është kërkuar hetim parlamentar, me qëllim që të faktohen pretendimet e Veliajt.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Pse nuk e keni kallëzuar Edi Ramën?
Ndreca: Ai është i paraburgosur, nuk kemi asnjë provë direkte që të depozitojmë. Jo pa qëllim është kërkuar hetim parlamentar, duke kërkuar publikisht që jam gati të bëj dëshmi. Parlamenti duhet të ndërhyjë për të siguruar provat. Ne kemi konsideruar si mbrojtje se, nëpërmjet autoritetit ku është iniciuar procesi, mendojmë se takimi me zotin Gogu ka qenë rrjedhojë e një veprimi të filluar më përpara. Hetimi nxjerr fakte që shkojnë më tej. Nuk është se ndruhet zoti Veliaj të kallëzojë zotin Rama.
Lala: Ju druheni, zoti Ndreca. Sepse ka kamerat e brendshme të burgut që tregojnë se zoti Veliaj është nxjerrë nga qelia. Ju thoni që keni kallëzuar drejtoreshën e burgut.
Ndreca: Arsyeja pse e kemi vlerësuar kështu është se Autoriteti i Burgjeve është përgjegjës për të mbajtur provat. Zoti Gogu është personazh politik dhe ne kemi bërë veprim politik, kemi kërkuar hetim politik dhe kemi kërkuar sigurimin e provave në mënyrë emergjente. Ne nuk kemi prova, sepse ai është i paraburgosur. E kanë marrë nga qelia dhe e kanë dërguar në zyrën e drejtorit të IEVP-së.
Lala: A po verifikohet ndonjë telefonatë e zotit Veliaj ndaj një të paraburgosuri tjetër?
Ndreca: Ku e di unë? Pyet prokurorinë.




