Negociatat me BE-në, Qeveria ndryshon përbërjen e Grupit Negociator, ja emrat e rinj për kapitujt kyç
Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë ndryshimesh dhe shtesash në përbërjen e Grupit Negociator për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Vendimi, i marrë me propozimin e ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, rishikon ndarjen e përgjegjësive mes zëvendësministrave dhe drejtuesve të institucioneve të pavarura për disa kapituj të rëndësishëm të legjislacionit evropian (acquis).
Sipas vendimit zyrtar, ndryshimet kryesore në ekipin negociator përfshijnë:
Politika Rajonale (Kapitulli 22)
Përgjegjësinë si negociator për këtë kapitull e merr zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Oltjon Muzaka, duke zëvendësuar ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.
Ekonomia dhe Financa (Kapitujt 1, 4, 6, 9, 16, 17, 29, 32, 33)
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, merr përgjegjësinë edhe për kapitullin 6 (E drejta e shoqërive tregtare), krahas kapitullit 1 dhe rolit si bashkënegociator për kapitujt 28 dhe 30. Nënndarja që ngarkonte ish-zëvendësministren Blerta Rama për kapitujt 6 dhe 4 shfuqizohet.
Zëvendësministri i Financave, Andi Memeti, shton rolin si bashkënegociator për kapitullin 4 (Lëvizja e lirë e kapitalit), krahas kapitujve 32 dhe 33. Ndërkohë, zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, përveç kriterit ekonomik dhe kapitujve 16 e 29, emërohet bashkënegociator edhe për kapitujt 9 (Shërbimet financiare) dhe 17 (Politika ekonomike dhe monetare).
Institucionet Financiare
Zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, përcaktohet bashkënegociatore përgjegjëse për kapitujt 4 dhe 17, ndërsa drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Adela Xhemali, vijon si bashkënegociatore për kapitullin 9.
Politika e Konkurrencës (Kapitulli 8)
Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, do të ndajë përgjegjësinë si bashkënegociator për këtë kapitull me zëvendësministrin e Ekonomisë dhe Inovacionit, Mario Keputa.
Bujqësia dhe Siguria Ushqimore (Kapitulli 12)
Zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Tana Kika, i bashkohet zëvendësministrit Arian Jaupllari, duke e ndarë detyrën si bashkënegociatorë përgjegjës për kapitullin 12.
Shëndetësia dhe Mbrojtja e Konsumatorit (Kapitujt 19 dhe 28)
Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi, mbetet bashkënegociatore për kapitullin 19, ndërsa zëvendësministrja Eugena Tomini shtohet në ekip si bashkënegociatore përgjegjëse për kapitullin 28.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Grupi Negociator i Republikës së Shqipërisë dhe institucionet përkatëse të përfshira në strukturë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



