Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih ka pritur përfaqësues të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Cyrih, me të cilët ka diskutuar për veprimtarinë e shoqatës, angazhimin e studentëve shqiptarë dhe mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, shkruan Telegrafi.

Përmes një postimi në Facebook, konsullata ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për angazhimin e studentëve shqiptarë në fushën akademike, shkencore dhe kulturore, si dhe për rolin e tyre në përfaqësimin dhe promovimin e vlerave të komunitetit shqiptar në Zvicër.


Në postimin e saj, konsullata ka theksuar: “Vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive të bashkëpunimit ndërmjet Konsullatës dhe shoqatës, organizimit të aktiviteteve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe krijimit të hapësirave për përfshirjen më të gjerë të të rinjve shqiptarë në nisma arsimore, kulturore dhe profesionale”.

Gjatë takimit u theksua gjithashtu rëndësia e ndërlidhjes së studentëve dhe profesionistëve të rinj shqiptarë në Zvicër me institucionet dhe zhvillimet në vendlindje, me synim shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët./Telegrafi/