Një mesazh solidariteti ka ardhur nga tribunat e stadiumit “Air Albania”, ku Shqipëria po luan ndaj Finlandës. Në mesin e atmosferës kuqezi, tifozët kanë zgjedhur të përcjellin një mesazh të veçantë, duke shpalosur një banderolë të madhe me syrin e Erjon Vishkullit, të riut që mbeti i plagosur rëndë gjatë protestës studentore në Tiranë.
Vishkulli, pjesë e tifozëve të Kombëtares shqiptare, u dëmtua në syrin e majtë më 24 tetor, gjatë përplasjes mes protestuesve dhe Policisë në kryeqytet. Ai dyshohet se u godit nga një plumb gome, ndërsa pas ndërhyrjes së parë mjekësore në Shqipëri u dërgua në Itali për trajtim të specializuar.
Banderola e shpalosur në tribunën kuqezi rikthen në vëmendje plagosjen e të riut dhe shërben si një mesazh mbështetjeje për të, në një mbrëmje ku mijëra tifozë janë bashkuar për të mbështetur Kombëtaren.
Përtej rezultatit në fushën e lojës, mesazhi i tifozëve tregon se solidariteti dhe lidhja mes tyre shkojnë përtej futbollit. “Erjon, jemi me ty!” është mesazhi që përcillet nga tribunat e “Air Albania”.

