Talenti i Lille e refuzon brutalisht Serbinë: Dua të luaj vetëm për Zvicrën

Mbrojtësi i talentuar Loun Srdanovic ka marrë një vendim të qartë për të ardhmen e tij ndërkombëtare, duke refuzuar mundësinë për të përfaqësuar Kombëtaren e Serbisë dhe duke konfirmuar se dëshiron të luajë vetëm për Zvicrën.
20-vjeçari, i cili aktualisht është pjesë e Lille në Francë, ka marrë ftesë nga Kombëtarja U21 e Zvicrës, pas ristrukturimit të kësaj përfaqësueseje, e cila nuk arriti të kualifikohej në Kampionatin Evropian.
Srdanovic, i lindur në Gjenevë, ka prejardhje të përzier familjare. Nëna e tij është nga Kameruni, ndërsa babai ka shtetësi serbe, kroate dhe gjermane. Kjo i jepte mundësinë që teorikisht të përfaqësonte deri në pesë kombëtare të ndryshme.
Madje, interesimi për të nuk mungoi as nga Serbia, e cila kishte tentuar ta bindte që t'i bashkohej ekipit A për grumbullimin aktual. Megjithatë, mbrojtësi i djathtë e refuzoi këtë mundësi, duke bërë të qartë se zgjedhja e tij ka qenë gjithmonë Zvicra.
“Dua të luaj për Zvicrën, kjo është e qartë për mua. Që kur isha i vogël, kam ëndërruar të luaj për Kombëtaren. Kam qenë pjesë e përfaqësueseve të grupmoshave të Zvicrës që nga fillimi. Serbia më kontaktoi për t'iu bashkuar Kombëtares A, por kjo nuk ka qenë kurrë një dilemë për mua”, deklaroi Srdanovic për Blick.

Për momentin, synimi i tij është të lërë gjurmë te Zvicra U21, ku dëshiron të marrë edhe rol udhëheqës.
“Kjo është ftesa ime e dytë dhe kam përvojë që mund ta ndaj me të tjerët. Në fund të fundit, të gjithë jemi pothuajse të së njëjtës moshë”, shtoi ai.
Srdanovic ka kaluar një vit me shumë ndryshime në karrierë. Pas paraqitjeve të mira te Servette, ai pati probleme të gjata me ijët, por arriti të rikthehej në formacionin titullar drejt fundit të sezonit.

Pavarësisht se kishte vetëm 19 paraqitje në Superligën zvicerane, ai tërhoqi interesimin e disa klubeve, përfshirë Young Boys.
Megjithatë, vendosi të transferohej te Lille, klub që garon në Ligën e Kampionëve dhe që pagoi rreth tre milionë euro për shërbimet e tij. Deri më tani, 20-vjeçari nuk ka debutuar me ekipin e parë në Ligue 1, ndërsa ka regjistruar tri paraqitje me ekipin rezervë të klubit francez./Telegrafi/








































