Tatimi mbi pronat, Pipiria: Barra fiskale do të shtrenjtojë banesat dhe qiratë
Paketën e re fiskale dhe ndikimin e saj në tregun e pasurive të paluajtshme e ka kundërshtuar Shoqata e Pasurive të Paluajtshme (NAREA), e cila ka paraqitur pesë kërkesa gjatë dëgjesës për projektbuxhetin dhe paketën fiskale.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, Reinaldo Pipiria nga Shoqata e Pasurive të Paluajshme, kërkoi uljen e tatimit mbi fitimin nga shitja e pronave dhe përjashtimin për tre vjet nga tatimi mbi të ardhurat që vijnë prej qirave afatgjata.
Pipiria paralajmëroi se nëse paketa miratohet në formën aktuale, rritja e barrës fiskale do të reflektohet në çmime më të larta të shitjes së pronave dhe të qirave.
Ai argumentoi se tregu ka nevojë për lehtësi fiskale që të nxitet oferta dhe pronat të vihen në qarkullim, në vend të masave ndëshkuese si supertaksa.
INTERVISTA E PLOTË:
Ju kërkoni uljen e tatimit mbi fitimin nga shitja e pasurive të paluajshme. Përse e kërkoni dhe çfarë mendoni se kjo lëvizje do të sillte?
Reinaldo Pipiria: Në fakt ne kemi paraqitur pesë kërkesa gjatë dëgjesës së sotme. Është për të ardhur keq kur e shikon mënyrën se si bëhet politikë fiskale në Shqipëri, sepse praktikisht kemi një paketë fiskale, kemi një përpjekje për të adresuar strehimin, kemi një supertaksë që nuk është pjesë e paketës fiskale, por është përdorur në retorikë gjatë prezantimit të paketës fiskale dhe të buxhetit. Kështu që është një situatë që del rrëmujë dhe kaotike dhe nuk adreson realisht problemet më të rëndësishme që kemi sot, që është pjesa e përballimit të tregut. Kemi folur faktikisht për pragun e TVSH-së që mendojmë që ndikon të gjitha bizneset e vogla në Shqipëri. Pra ajo ulja nga 10 milionë në 5 milionë ndikon automatikisht punën e ndërmjetësve të pasurive të paluajshme, por ndikon në të njëjtën kohë edhe kostot e një transaksioni të pasurive të paluajshme, sidomos kur bëhet fjala te shtresa e mesme që zgjedh të marrë një shtëpi të sigurt dhe nesër i bie që duhet të paguajë më tepër. Kemi kërkuar në të njëjtën kohë po uljen e tatimit të fitimit mbi transaksionet e pasurive të paluajshme. Nuk është viti i parë; për katër vite nga 2022 që deri në ditën e sotme NAREA ka qenë vërtet konsistente. E ka argumentuar edhe me shifra që duhet të funksionojë. E kemi të konfirmuar për të disatën herë në 2026-ën: për nëntë muajt e parë të 2026-ës në arkën e shtetit janë arkëtuar 90 milionë euro, duke tejkaluar edhe performancën e vitit më të mirë për sa i përket pjesës së arkëtimeve të vitit 2025 nga transaksionet e pasurive të paluajshme. Në të njëjtën kohë jam i bindur ka pasur më shumë transaksione, të paktën e konfirmuar edhe nga shifrat e ASHK-së, të paktën rreth 25% më tepër kontrata të pasurive të paluajshme, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme janë apartamente, janë 25% më tepër në krahasim me 2025-ën vetëm sepse ky treg ka pasur frymëmarrje për shkak të një uljeje në tatimin e transaksioneve.
Ju propozoni një periudhë trevjeçare të përjashtohet tatimi mbi të ardhurat që do të vinin nga qiratë. Po ky propozim përse?
Reinaldo Pipiria: Të gjitha eksperiencat që vijnë nga vendet e Bashkimit Europian tregojnë që ngarkesa me barrë taksash për shtëpi të cilat rrinë bosh apo për të cilat përkohësisht nuk janë të përdorura, nuk kanë pasur efekt. Vetë Bashkimi Europian shkon në drejtimin e asaj që ne sot e kemi artikuluar, që është doktrina e NAREA-s për çlirimin e tregut. Tregu çlirohet nëpërmjet lehtësive fiskale duke e nxitur pronën që të shkojë në qarkullim dhe të vendoset në përdorim nëpërmjet incentivave para se të vijë dënimi. Dënimi është supertaksa, Rasti më i afërt që kemi në rajon është Greqia. Greqia ka vuajtur nga qiratë afatshkurtra, ka vuajtur nga ngritja e çmimeve dhe kostove për shkak të turizmit dhe ka marrë vendim që zero tatim për të ardhurat që vijnë nga qira për qiratë të cilat janë 36-mujore, qiratë afatgjata, duke i nxitur që pronat të cilat nuk po kanë performancë ose e kanë performancën në dyshim në qiratë afatshkurtra të dalin në treg dhe të vendosen në dispozicion të qytetarëve që kanë nevojë për një sistem të qëndrueshëm. Prandaj dhe ne kemi sjellë këtë lloj propozimi, sepse e kemi parë të provuar me transaksionet e pasurive të paluajshme në 15% tatim nuk kishte performancë tregu, shteti nuk ishte duke fituar, shqiptarët nuk ishin duke u strehuar. Me 5% tatim transaksioni pasuria e paluajshme ka performancë tregu, tregu ka të ardhura në shtet dhe nga ana tjetër ka alternativë ekonomike.
Kjo paketë e re fiskale nëse miratohet në këtë formë që është propozuar, si do të ndikonte në tregun e shitblerjeve të pronave dhe në tregun e qirave?
Reinaldo Pipiria: Nëse miratohet kështu siç është bashkë me incentivat që vinin nga paketa e strehimit social, unë besoj që të gjitha paratë që po vendosen, qoftë taksat, qoftë tatimi 15% nëse nuk ulet, qoftë shtrëngimi me tatime mbi qiranë, të gjitha do kapitalizohen në çmime më të larta në treg dhe në qira më të larta në treg. Çfarëdo lloj incentive që i bëni kërkesës, pa u siguruar që do përgjigjet oferta, do të kemi një situatë akoma më të vështirë në Shqipëri. Dhe oferta ndikohet nga mënyra se si ne i taksojmë pasuritë e paluajshme. Banesa vendoset në qarkullim për qira ashtu siç vendoset në shitje në një trend i cili performon. Prandaj kemi kundërshtuar disa herë, nuk është zgjidhje supertaksa pa vendosur njëherë për të çliruar ofertën me një ulje dhe me një përjashtim të paktën për qiratë afatgjata dhe për pronat që vendosen në treg me çmime tregu.
/vizionplus.tv




