Nga Gentian Kaprata - Polity & Ideology/
Kur ishim fëmijë, luanim një lojë të thjeshtë: letra, guri dhe gërshëra. Guri thyente gërshërën, gërshëra priste letrën, ndërsa letra mbështillte gurin. Nuk kishte fitues të përhershëm. Ishte një nga ato lojëra që, pa e kuptuar, na mësonin diçka të madhe: askush nuk është i pamposhtur. Pastaj u rritëm. Dhe në Shqipëri erdhi Edi Rama, i cili duket se ka vendosur t'i ndryshojë edhe rregullat e kësaj loje.
Më kujtohet Rama me një palë gërshërë kirurgjikale të thyera e të ndryshkura në dorë. I tundte përpara kamerave, sikur sapo kishte zbuluar provën përfundimtare të një krimi kundër njerëzimit. Shikoni, na thoshte, me çfarë operohen shqiptarët! Një vend ku mjekëve u mungonin edhe instrumentet më elementare kishte nevojë për ndryshim. Dhe ndryshimi, natyrisht, kishte një emër, një mbiemër dhe një gjatësi mbi dy metra.
Më pas erdhën PPP-të e shëndetësisë. Miliona e miliona euro të shpërdoruara në kontrata afatgjata, kompani private të vendosura në zemër të shërbimeve publike, fatura që qytetarët do t'i paguanin për vite. Erdhi edhe SPAK-u, me hetimet për koncesionin e sterilizimit. Ndërsa shqiptarët vazhduan të përballeshin me mungesë shërbimesh, shpenzime nga xhepi dhe atë ankthin e vjetër që të zë kur të duhet të trokasësh në derën e një spitali.
Ndoshta sot gërshërët kirurgjikale janë më të mira. Por gërshërët e dikurshme kishin një veti që instrumentet e reja nuk e kanë: prisnin mrekullisht mirë rrugën drejt pushtetit dhe kontratave publike.
Kanë kaluar trembëdhjetë vjet dhe kryeministri ynë është shfaqur përsëri në televizion me një send në dorë. Kësaj here me një gur. E ka marrë nga bulevardi, e mban në pëllëmbë, e peshon. Na shpjegon sa i rëndë është, sa i rrezikshëm, çfarë mund t'i bëjë një njeriu po ta godasë. Duket sikur po na prezanton një zbulim shkencor. Guri është i fortë! Guri mund të plagosë! Një popull i tërë duhet të marrë leksionin e radhës mbi vetitë fizike të kalldrëmit.
Dhe vjen sentenca kryeministrore: me gurin nuk negociohet.
Sigurisht që nuk negociohet me gurin, zoti kryeministër. Guri nuk flet. Nuk ka mendim, nuk ka kërkesa, nuk ka as të drejtë vote. Me gurin nuk negociojnë as gjeologët. Ata e studiojnë.
Por me njerëzit negociohet. Edhe kur janë të zemëruar. Madje, sidomos atëherë.
Askush nuk mund ta përligjë goditjen e një polici me gur. Një polic i plagosur ka familje, fëmijë, njerëz që e presin në shtëpi. Por familje ka edhe protestuesi që mbetet pa frymë nga gazi lotsjellës. Edhe ai që goditet me shkop gome. Edhe studenti që nuk gjen më arsye për të besuar se e ardhmja e tij mund të ndërtohet këtu. Sepse, dhimbja nuk është monopol i uniformës. Dhe dinjiteti njerëzor nuk fillon e mbaron te kordoni i policisë.
Kryeministri, megjithatë, ka zgjedhur gurin. Është shumë më i përshtatshëm për televizion. Nuk të ndërpret, nuk të kundërshton, nuk të kërkon llogari. Mund t'i japësh çdo kuptim që të leverdis. Mbi të gjitha, mund ta përdorësh për të mos folur për ata që e kanë sjellë protestën deri këtu. Rama e ka kuptuar prej kohësh se në politikë një send i vogël, i vendosur përpara kamerës, mund të mbulojë një realitet shumë të madh.
Dikur gërshërët e thyera mbulonin gjithë historinë e shëndetësisë shqiptare. Sot një gur duhet të mbulojë gjithë historinë e pakënaqësisë ndaj qeverisjes së tij. Gërshërët tregonin sa keq ishte katandisur shteti përpara tij. Guri tregon sa të këqij janë ata që protestojnë kundër tij. Në të dyja shfaqjet, Edi Rama është personazhi pozitiv.
Vetëm se ka një hollësi që nuk duhet harruar. Kur tundte gërshërët, ishte njeriu që premtonte të ndryshonte Shqipërinë. Sot, kur tund gurin, është njeriu që e qeveris prej trembëdhjetë vjetësh. Nuk është më ai që duhet t'i kërkojë llogari pushtetit. Është ai të cilit duhet t'i kërkohet llogari. Kjo, me sa duket, është pjesa që nuk hyn në skenarin televiziv. Sepse protesta nuk ka dalë në rrugë për të diskutuar përbërjen minerale dhe karakteristikat fizike të gurëve të bulevardit. Ajo ka dalë me një kërkesë politike, që mund të pranohet ose të refuzohet, por nuk mund të fshihet pas një cope kalldrëmi.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.
Dhe kështu mbërrijmë te sendi i tretë i lojës sonë të fëmijërisë. Te letra.
Jo te letra e kontratave koncesionare. As te raportet qeveritare, ku Shqipëria përparon aq shpejt sa njerëzit mezi e kapin përpara se të nisen për emigrim. As te fjalimet ku çdo dështim ka një fajtor tjetër dhe çdo sukses vetëm një autor. Te një letër shumë më e zakonshme. Një fletë e bardhë, ku mjaftojnë disa rreshta dhe një firmë.
Letra e dorëheqjes.
Nuk është ndonjë shpikje e madhe. Në botën demokratike, dorëheqjet kanë ekzistuar shumë kohë përpara se Edi Rama të zbulonte partneritetin publik-privat apo vetitë fizike të gurit. Nuk janë as fundi i botës, as zhdukja e shtetit. Janë një nga mënyrat me të cilat politika pranon se asnjë njeri nuk është më i madh se institucioni që drejton. Në fund të fundit, kjo është edhe bukuria e demokracisë: pushteti nuk është një lojë ku njëri lojtar vendos rregullat, shpall rezultatin dhe refuzon të largohet nga tavolina.
Dhe ja ku jemi. Një vend që prej vitesh pret të flitet seriozisht për jetën e tij, ndërsa kryeministri vazhdon të na dalë në televizion me objekte në duar. Dikur na tregonte gërshërët e thyera të një sistemi që duhej ndryshuar. Sot na tregon gurin e një proteste që duhet dënuar.
Mbetet vetëm letra.
Në lojën e fëmijërisë, letra e mbështillte gurin. Në këtë lojë, kryeministri duket se ka më shumë frikë nga një fletë e bardhë sesa nga gjithë gurët e bulevardit.
Zoti Rama, gërshërët i tundët. Gurin e peshuat. Tani ka mbetur letra.
Dhe atë nuk ka nevojë ta tundni përpara kamerave. Mjafton ta firmosni.
© SYRI.net