Paketa Fiskale 2027 ka hasur në kundërshtime të shumta nga përfaqësuesit e biznesit, të cilët kërkojnë rishikimin e masave të propozuara, shtyrjen e zbatimit të tyre dhe më shumë konsultime përpara miratimit.
Gjatë gjithë ditës së sotme, përfaqësues të dhomave të tregtisë, industrisë prodhuese, eksportuesve, turizmit, transportit, profesionistëve të lirë dhe grupeve të tjera të interesit paraqitën në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat kundërshtimet e tyre ndaj ndryshimeve fiskale që parashikohen të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2027.
Në qendër të debateve ishte rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë dhe rritja e TVSH-së për akomodimin nga 6% në 10%.
Kërkesat shkuan nga shtyrja e zbatimit të ndryshimeve deri në vitin 2029, te ruajtja e normave ekzistuese dhe vendosja e periudhave tranzitore. Dhoma Britanike e Tregtisë propozoi një kalendar gradual zbatimi prej tre deri në pesë vjetësh, ndërsa Instituti i Kontabilistëve të Miratuar kërkoi që tatimi mbi dividendin të mos ndryshojë deri në vitin 2029 dhe ulja e pragut të TVSH-së të bëhet me faza.
Paralajmërimet më të forta erdhën nga industria prodhuese. Kryetari i ProEksport Albania, Edvin Prençe, deklaroi se sektori fason, që aktualisht po humbet mesatarisht 25 vende pune në ditë, mund të arrijë në 50 vende pune të humbura çdo ditë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve. Arben Shkodra, nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë paralajmëroi përshpejtimin e deindustrializimit, në një kohë kur prodhimi vendas po përballet prej tre vitesh me rënie të aktivitetit.
Një nga kundërshtimet më të forta ligjore erdhi nga Aleanca e Profesionistëve të Lirë, e cila paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse miratohen dispozitat për dividendin dhe TVSH-në që, sipas saj, kanë efekt prapaveprues.
Edhe transporti publik paralajmëroi se rritja e TVSH-së standarde do të çojë në rritjen e çmimit të biletave, ndërsa shoqatat e turizmit kërkuan formalizimin e apartamenteve që jepen me qira për turistët, në vend të shtimit të barrës tatimore mbi strukturat e regjistruara.
Megjithëse propozimet e grupeve të interesit ndryshonin sipas sektorëve, shqetësimi i përbashkët ishte ndikimi i masave në kostot e biznesit, konkurrueshmërinë, investimet dhe çmimet për konsumatorët. Përfaqësuesit e sipërmarrjeve kritikuan gjithashtu mungesën e konsultimit paraprak dhe ndryshimet e shpeshta të politikave fiskale, që i bëjnë më të vështira planifikimin dhe kontratat afatgjata.
Më poshtë janë kërkesat dhe kundërshtimet kryesore të paraqitura nga grupet e interesit. Ndwrsa debatet e plota i gjeni nw link pwrkatwse.
Dhomat e tregtisë kërkojnë rishikim dhe shtyrje të masave fiskale
Dhoma Amerikane, Dhoma Britanike kërkuan rishikimin e ndryshimeve të Paketës Fiskale 2027, më shumë konsultime dhe analiza të ndikimit ekonomik.
Përfaqësuesja e Dhomës Amerikane, Alketa Uruçi, kërkoi dispozita tranzitore për tatimin mbi dividendin, tatimin mbi pagën dhe TVSH-në e hotelerisë. Sipas saj, duhet të sqarohet trajtimi i fitimeve të akumuluara në vitet kur dividendi tatohej me 8%, ndërsa ndryshimet për hotelerinë duhet të shtyhen përtej sezonit pranverë-verë 2027, pasi bizneset kanë lidhur tashmë kontratat me agjencitë e huaja.
Dhoma Britanike kërkoi shtyrjen e masave me ndikim të lartë ekonomik deri në përfundimin e analizave dhe konsultimeve, duke propozuar një periudhë zbatimi gradual prej tre deri në pesë vjetësh. Të dyja dhomat theksuan se qeveria duhet të synojë zgjerimin e bazës së tatimpaguesve dhe luftën kundër informalitetit, në vend të rritjes së normave tatimore.
Kontabilistët: Dividendi të mos ndryshojë deri në 2029, pragu i TVSH-së të ulet gradualisht
Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) kërkoi shtyrjen e ndryshimeve për dividendin deri në vitin 2029 dhe zbatimin me faza të uljes së pragut të regjistrimit në TVSH.
Kryetari i IKM-së, Sotiraq Dhamo, argumentoi se rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% do të rëndojë bizneset vendase dhe mund të dobësojë tërheqjen e investimeve. Nëse qeveria nuk pranon shtyrjen, IKM propozon një rritje graduale, duke nisur me normën 10%.
Për pragun e TVSH-së, kontabilistët kërkuan që ndryshimi të nisë në vitin 2028 dhe të përfundojë në vitin 2029, pas një analize të kostove për bizneset dhe administratën. IKM kundërshtoi edhe rritjen e TVSH-së standarde në 21%, duke paralajmëruar efekte zinxhir në çmimet e produkteve.
Prodhuesit paralajmërojnë përshpejtimin e deindustrializimit
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kundërshtoi rritjen e taksave, duke paralajmëruar se masat e reja mund të përkeqësojnë situatën e industrisë vendase.
Arben Shkodra, përfaqësues i Bashkimit, deklaroi se organizata përfaqëson rreth 8 mijë ndërmarrje dhe 120 mijë të punësuar, ndërsa industria po përjeton rënie për të tretin vit radhazi. Sipas tij, rritja e kostove, zhvlerësimi i Euros dhe detyrimet e reja që lidhen me integrimin europian po dobësojnë konkurrueshmërinë e prodhuesve.
Prodhuesit kërkuan gjithashtu rishikimin e listës së ushqimeve që do të përfitojnë TVSH-në e reduktuar prej 6%, duke evidentuar mungesën e produkteve bazë si uji, djathi, bulmeti dhe gruri.
Ndërkohë, eksperti Eduart Gjokutaj paralajmëroi se rritja e tatimit mbi dividendin mund të krijojë ngërç në shpërndarjen e fitimeve të akumuluara ndër vite. Sipas përllogaritjeve të tij, përfitimi neto i aksionerëve nga fitimet e shpërndara do të ulej me 7.6%.
Profesionistët e lirë: Ndryshimet me efekt prapaveprues do t’i çojmë në Kushtetuese
Aleanca e Profesionistëve të Lirë paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse miratohen ndryshimet për dividendin dhe TVSH-në që, sipas përfaqësuesve të saj, kanë efekt prapaveprues.
Lulëzim Alushaj, konsulent bordi i Aleancës, argumentoi se propozimet bien ndesh me parimin kushtetues të moszbatimit prapaveprues të ligjeve fiskale, duke kujtuar se profesionistët e lirë e kanë kundërshtuar edhe më parë në Gjykatën Kushtetuese ligjin për tatimin mbi të ardhurat.
Përfaqësuesit e Aleancës propozuan që pragu i regjistrimit në TVSH të jetë 8 milionë lekë, në vend të nivelit prej 5 milionë lekësh që parashikohet në paketë. Sipas tyre, ulja e menjëhershme e pragut do të shtojë kostot administrative dhe mund të nxisë informalitetin.
Për dividendin, profesionistët propozuan një skemë me dy fasha: normë 0% për të ardhurat brenda fashës deri në 14 milionë lekë dhe 15% për pjesën mbi këtë nivel, me synimin për të shmangur diferencat e mëdha në trajtimin fiskal të personave fizikë dhe shoqërive tregtare.
Manifaktura Shqiptare: Zero tatim për pagat deri në 80 mijë lekë
Manifaktura Shqiptare kërkoi zgjerimin e fashës së patatueshme të pagave, duke propozuar që të ardhurat nga puna deri në 80 mijë lekë bruto në muaj të mos tatohen.
Kryetari i shoqatës, Florjan Zeka, argumentoi se mënyra e propozuar e taksimit krijon diferenca të padrejta mes punonjësve me paga pranë kufirit të patatueshëm.
Zeka ngriti gjithashtu shqetësimin për goditjen që ka marrë industria eksportuese nga zhvlerësimi i Euros dhe kërkoi më shumë transparencë për përdorimin e fondeve të BE-së, prej 922 milionë eurosh. Ai propozoi krijimin e një komisioni qeveritar ose parlamentar që të monitorojë shpërndarjen e këtyre fondeve dhe përfitimet për bizneset.
ProEksport: Rrezikohen 50 vende pune në ditë në industrinë fason
Industria fason paralajmëroi përshpejtimin e humbjes së vendeve të punës nga ndryshimet e Paketës Fiskale 2027.
Kryetari i ProEksport Albania, Edvin Prençe, deklaroi se sektori po humbet aktualisht mesatarisht 25 vende pune në ditë, ndërsa nga janari 2027 kjo shifër mund të dyfishohet në 50.
Sipas tij, sektori është goditur nga zhvlerësimi i Euros, rritja e kostove dhe rënia e eksporteve, ndërsa numri i të punësuarve ka zbritur nga rreth 75 mijë në vitin 2024 në rreth 50 mijë aktualisht.
ProEksport kërkoi rritjen e pragut të patatueshëm të pagave në 60 mijë lekë në muaj, ruajtjen e tatimit mbi dividendin në nivelin 8%, si dhe fonde të posaçme e grante për modernizimin e industrisë, automatizimin dhe investimet në teknologji.
Turizmi: Formalizoni apartamentet me qira ose unifikoni TVSH-në
Përfaqësuesit e turizmit kundërshtuan propozimin për rritjen e TVSH-së së akomodimit nga 6% në 10%, duke kërkuar që qeveria të përqendrohet te formalizimi i tregut.
Zak Topuzi, përfaqësues i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, argumentoi se strukturat hoteliere po përballen me rritje të kostove, zhvlerësimin e Euros dhe komisionet e larta të platformave ndërkombëtare të rezervimeve. Ai kërkoi ruajtjen e TVSH-së në 6% dhe formalizimin e apartamenteve që jepen me qira afatshkurtër për turistët, përfshirë raportimin e transaksioneve nga platformat online.
Ndërkohë, Rrahman Kasa, përfaqësues i Unionit Turistik Shqiptar, propozoi një normë të unifikuar TVSH-je prej 10% për të gjitha shërbimet turistike, përfshirë akomodimin dhe ushqimin, me qëllim përmirësimin e konkurrueshmërisë ndaj vendeve të rajonit.
Transporti publik: TVSH-ja 21% do të rrisë çmimin e biletave
Shoqatat e transportit publik paralajmëruan rritje të çmimeve të biletave nëse norma standarde e TVSH-së rritet nga 20% në 21%, duke filluar nga 1 janari 2027.
Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Kostandin Foni, argumentoi se TVSH-ja është pjesë e formulës së çmimit të biletës, i cili miratohet nga këshillat bashkiakë. Për rrjedhojë, operatorët nuk mund ta ndryshojnë vetë çmimin, por rritja e taksës do të kërkonte rishikimin e tij.
Shoqata kërkoi që transporti publik të përfshihet në shërbimet që përfitojnë normën e reduktuar të TVSH-së prej 6%, duke argumentuar se kjo do të krijonte më shumë mundësi për investime dhe rinovimin e flotës së autobusëve.
Avokati Sajmir Laçej: Rritja e akcizës rrezikon prodhimin vendas të duhanit
Përfaqësuesit e sektorit të duhanit kundërshtuan rritjen e propozuar të akcizës për duhanin e grirë, duke paralajmëruar rrezikun e mbylljes së aktiviteteve prodhuese dhe humbjes së investimeve.
Avokati Sajmir Laçej argumentoi se kalendari i propozuar parashikon që deri në vitin 2033 akciza për duhanin vendas të arrijë pothuajse trefishin e nivelit aktual, ndërsa rritja vjetore për cigaret është më e ulët.
Sipas tij, prodhuesit vendas kanë investuar në makineri, qendra përpunimi dhe kontrata me fermerët, ndërsa rritja e fortë e akcizës do të dëmtonte konkurrueshmërinë e tyre dhe përpjekjet për formalizimin e sektorit. Përfaqësuesit kërkuan rishikimin e kalendarit të akcizës dhe trajtimin e diferencuar të duhanit vendas nga cigaret e prodhuara industrialisht.
NAREA: Super-taksa për shtëpitë bosh do të godasë diasporën
Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme (NAREA) paralajmëroi se vendosja e një takse të lartë për banesat bosh rrezikon të godasë kryesisht emigrantët dhe pronarët e banesave jashtë qyteteve të mëdha, në vend që të nxisë tregun e qirasë në Tiranë.
Drejtori Ekzekutiv i NAREA-s, Reinaldo Pipiria, propozoi që fillimisht të zbatohen stimuj fiskalë, si përjashtimi nga tatimi mbi qiranë për 36 muaj dhe ulja e tij nga 15% në 10% për qiradhënien afatgjatë. Sipas tij, super-taksa duhet të përdoret vetëm pas vitit 2029, në zonat me presion të lartë mbi tregun e banesave, duke përjashtuar pronat e emigrantëve.
NAREA kërkoi gjithashtu lehtësimin e tatimit 15% mbi fitimin nga shitja e pronës dhe që pragu i regjistrimit në TVSH të mos ulet nën 8.5 milionë lekë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor