Jensen Huang ka dhënë dorëheqjen papritur nga posti i drejtorit ekzekutiv dhe presidentit të Nvidia-s, pas 33 vitesh në drejtimin e kompanisë që bashkëthemeloi. Largimi i tij vjen pas një skandali që lidhet me dy marrëdhënie jashtëmartesore, njëra prej të cilave përfshin një grua që dyshohet nga autoritetet amerikane se ka lidhje me shërbimet inteligjente kineze.

Pas dorëheqjes së Huang, drejtimin e përkohshëm të gjigantit të inteligjencës artificiale do ta marrë Colette Kress, e cila deri më tani ka mbajtur postin e drejtoreshës financiare të kompanisë.

Kush është Colette Kress?

Kress iu bashkua Nvidia-s në shtator të vitit 2013 dhe prej asaj kohe ka qenë një nga drejtueset kryesore të kompanisë, duke mbajtur postet e zëvendëspresidentes ekzekutive dhe drejtoreshës financiare. Para se t'i bashkohej Nvidia-s, ajo kishte punuar për afro 25 vite në sektorin financiar të kompanive të mëdha teknologjike, përfshirë Microsoft dhe Cisco.

Ajo do të vazhdojë të mbajë edhe detyrën e drejtoreshës financiare, ndërsa do të drejtojë përkohësisht kompaninë deri në përzgjedhjen e një drejtori të ri ekzekutiv. Në një deklaratë pas emërimit, Kress u shpreh se është e përkushtuar të ndërtojë mbi themelet e krijuara nga Jensen Huang gjatë 33 viteve të fundit.

Ndërkohë, bordi drejtues i Nvidia-s ka nisur kërkimin për një drejtues të përhershëm, duke shqyrtuar kandidatë si brenda, ashtu edhe jashtë kompanisë. Largimi i Huang shënon fundin e një epoke për Nvidia-n, e cila nën drejtimin e tij u shndërrua në një nga kompanitë më të rëndësishme në botën e inteligjencës artificiale.