Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar kundër mundësisë që Kuvendi i Kosovës të votojë nesër ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke ngritur shqetësime serioze për pasojat që mund të kenë ato.
Në një reagim publik, BE-ja thekson se ndryshimet e propozuara mund të cenojnë përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe parimet themelore të sundimit të ligjit.
Shqetësimet e Brukselit lidhen veçanërisht me pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, garantimin e të drejtave procedurale dhe sigurimin e llogaridhënies efektive.
Gjithashtu, Zyra e BE-së ka ngritur pikëpyetje për kushtetutshmërinë e ndryshimeve të propozuara.
BE-ja bëri të ditur se ka komunikuar vazhdimisht me autoritetet kosovare që prej momentit kur ligji u kthye në Kuvend për rishqyrtim, duke kërkuar që shqetësimet dhe pritshmëritë e saj të merren në konsideratë.
Në përfundim, Brukseli ka theksuar domosdoshmërinë e konsultimeve paraprake përpara miratimit të çdo ndryshimi në ligj, në mënyrë që të respektohen detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
