Ambasada Britanike kundërshton ndryshimet në Ligjin për Specialen: Mund të dëmtojnë raportet me partnerët ndërkombëtarë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasada Britanike kundërshton ndryshimet në Ligjin për Specialen: Mund të dëmtojnë raportet me partnerët ndërkombëtarë

    Insajderi
    12 November 2026 - 18:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mbretëria e Bashkuar ka shprehur shqetësim lidhur me synimin e Kuvendit të Kosovës për të votuar sërish Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Në një deklaratë, Ambasada Britanike ka vlerësuar se ndryshimet e propozuara nuk do t’u shërbejnë interesave thelbësore të Kosovës dhe mund të dëmtojnë marrëdhëniet e vendit me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë.

    Në reagimin e saj, Mbretëria e Bashkuar ka thënë se i ka marrë parasysh reagimet dhe ndjenjat e forta të krijuara pas aktgjykimeve të fundit.

    Megjithatë, ajo beson se qëllimet e Kosovës mund të arrihen më së miri duke vazhduar respektimin e zotimeve ndërkombëtare dhe përkushtimin ndaj llogaridhënies, drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

    Britania e Madhe i ka bërë thirrje Kuvendit që të marrë kohën e nevojshme për konsultime të mëtejshme, si brenda vendit, ashtu edhe me Bashkimin Evropian dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje më të mirë.

    Deklarata e plotë:

    “Mbretëria e Bashkuar ka marrë shënim për synimin e Kuvendit të Kosovës që të votojë sërish për ligjin që ndryshon dhe plotëson Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    Ne kemi shqetësimin se ndryshimet e propozuara nuk do t’u shërbejnë interesave thelbësore të Kosovës dhe do të dëmtojnë marrëdhëniet e saj me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë.

    Kemi marrë plotësisht parasysh reagimet dhe ndjenjat e forta të krijuara pas aktgjykimeve të fundit. Besojmë se qëllimet e Kosovës mund të arrihen më së miri duke siguruar që vendi të vazhdojë të respektojë zotimet e tij ndërkombëtare dhe përkushtimin ndaj llogaridhënies, drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

    Ne inkurajojmë Kuvendin që të marrë kohën e nevojshme për konsultime të mëtejshme, si brenda vendit, ashtu edhe me Bashkimin Evropian dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje më e mirë.”


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark