Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka dënuar gjuhën denigruese të përdorur nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj gazetares Klodiana Lala.
Në reagimin e saj, AGSH thekson se sulmet personale ndaj gazetarëve cenojnë dinjitetin profesional dhe lirinë e medias.
Asociacioni shpreh solidaritet me gazetaren Lala dhe i bën thirrje Berishës të tërheqë deklaratat dhe të kërkojë falje.
Reagimi i AGSH:
AGSH dënon gjuhën denigruese të Sali Berishës ndaj gazetares Klodiana Lala
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin dhe dënon gjuhën denigruese të përdorur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj gazetares Klodiana Lala.
Deklaratat e Berishës, përbëjnë sulme personale që cenojnë dinjitetin profesional të gazetares dhe nuk kontribuojnë në një debat publik të përgjegjshëm.
AGSH thekson se gazetarët nuk mund dhe nuk duhet të bëhen objekt i sulmeve personale, etiketimit apo diskreditimit publik për shkak të pyetjeve që shtrojnë, informacioneve që publikojnë apo mënyrës se si ushtrojnë profesionin e tyre.
Çdo politikan, përfshirë drejtuesit e opozitës, ka të drejtën të kundërshtojë raportimet mediatike, të kritikojë përmbajtjen e tyre dhe të kërkojë korrigjimin e pasaktësive. Megjithatë, kjo e drejtë nuk mund të shndërrohet në një instrument për të sulmuar personalisht gazetarët apo për të vënë në dyshim integritetin e tyre profesional përmes akuzave të pambështetura në fakte.
AGSH vlerëson se një gjuhë e tillë, veçanërisht kur përdoret nga figura me ndikim të lartë politik, rrezikon të nxisë armiqësi ndaj gazetarëve, të minojë besimin publik te media dhe të krijojë një klimë frikësuese për ushtrimin e lirë të profesionit.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh solidaritetin e plotë me gazetaren Klodiana Lala dhe u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë, pa dallim, të respektojnë dinjitetin dhe pavarësinë e gazetarëve.
Ne i bëjmë thirrje kreut të PD të tërhiqet nga këto deklarata dhe të kërkojë falje.