Gazetari i njohur italian dhe ish-korrespondenti i luftës për Mediaset, Toni Capuozzo, është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare. Lajmi u bë i ditur këtë të enjte nga mediat italiane.
Vdekja e tij vjen më pak se tre javë pasi, më 23 tetor, ai kishte bërë publik lajmin se vuante nga një tumor. Në një mesazh në rrjetet sociale, Capuozzo kishte treguar se do të përballej me sëmundjen me ndihmën e mjekëve dhe njerëzve të afërt.
“E dua mjaftueshëm privatësinë dhe e konsideroj thashethemnajën për shëndetin mjaft të padurueshme, ndaj po e them pa hezitim: po, kam një tumor”, kishte shkruar ai.
I lindur më 7 dhjetor 1948 në Palmanova, në provincën e Udines, Capuozzo e nisi karrierën si gazetar në vitin 1979. Në fillim të viteve ’90 iu bashkua grupit Mediaset, ku u bë një nga figurat e njohura të gazetarisë televizive italiane.
Për më shumë se tri dekada ai raportoi nga disa prej konflikteve më të përgjakshme në botë, mes tyre luftërat në ish-Jugosllavi, Somali, Afganistan, Irak dhe Lindjen e Mesme. Gjatë rrethimit të Sarajevës, ai ndihmoi të nxirrte nga zona e luftës një foshnjë tetë muajshe, Kemalin, të cilin më pas e strehoi për pesë vjet në familjen e tij.
Capuozzo ka qenë zëvendësdrejtor i TG5 deri në vitin 2013, ndërsa nga viti 2000 deri në vitin 2017 drejtoi emisionin investigativ dhe të aktualitetit “Terra!”. Ai realizoi gjithashtu dokumentarë dhe speciale televizive për ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, duke lënë gjurmë në gazetarinë italiane.

