Ministri Gonxhja, që ka punuar dikur si zv/kryetar në Bashkinë e Tiranës kur Edi Rama ishte kryetar, sot i anashkaloi pyetjes se “A do jeni ju kandidati për Tiranën?”, por edhe nuk e mohoi prerë.
Pjesëmarrja e Erion Veliajt në Asamblenë e Partisë Socialiste nuk është çështje për të cilën vendimmarrja i takon kësaj të fundit, thotë ministri Blendi Gonxhja gjatë një takimi me të rinjtë. Ai ndau keqardhje e solidaritet për kryebashkiakun, i cili ndodhet në spitalin e burgut të Fierit.
“Kush nuk ndihet i keqardhur për situatën ku ndodhet Veliaj dhe për situatën shëndetësore, nuk diskutohet nga pikëpamja e solidaritetit njerëzor. Në çdo aspekt, heqja e lirisë dhe së drejtës për të marrë pjesë në aktivitete dhe funksionin e tij normal të zgjedhur dhe të fituar nuk kalon nga PS. Janë sqaruar me tërë solidaritetin e ndjeshmërinë tonë, nuk ka lidhje me ne. Duhet të rregullohet në raportin ligjor me ata që mbrojnë të drejtat e Veliajt”, tha Gonxhja në ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv.
“Jam shumë i keqardhur që kemi këtë avari që rëndon mbi eficencën e menaxhimit të kryeqytetit. Ne jetojmë në këtë qytet. E njoh shumë mirë bashkinë e Tiranës dhe aparatin e saj. Kjo avari e rëndë që kryetari është në paraburgim, i kushton shumë kryeqytetit. Ka edhe kosto elektorale sepse qyteti ka goxha kohë që nuk ka kryetarin e vet në zyrë. Nuk zëvendësojmë dot gjykatat”, tha Gonxhja.
I pyetur nëse do të kandidojë për bashkinë e Tiranës, ministri tha se s’ka asnjë ambicie e projekt personal, por do t’i përgjigjej Partisë Socialiste nëse do t’ia kërkonte diçka të tillë.
“Gjatë gjithë jetës sime nuk ka ndodhur ndonjëherë që të kem deklamuar, folur, lutur, që të kem një projekt personal nuk e bëj dot dhe ta shpalos. Unë jam një prej shumë deputetëve të PS, jo të gjithë e njohin njësoj Tiranën, jo të gjithë kanë sedrën për Tiranën. Si shumë prej atyre që militojnë, punojnë, angazhohen, nuk do të lija gjë pa bërë që të ndihmoja kauzën, projektin. Nëse PS do të kishte një projekt, nuk diskutohet që do të isha këtu për të dhënë kontributin tim. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që kjo mos të tingëllojë si Blendi që kërkon një gjë që nuk e vendos Blendi. Ka shumë rëndësi që të kemi zgjedhje të mira, të kemi zgjidhur këtë problematikë që kemi para nesh dhe që duhet ta kanalizojmë në një energji që t’i japë të mira vendit dhe mos ta dëmtojë Tiranën”, tha Gonxhja.
Pra nuk e pohoi, por as nuk e mohoj kandidimin në Tiranë.
