Reshje mesatare deri në shumë intensive dhe shtrëngata priten në disa qarqe të vendit gjatë dy ditëve në vijim. Sipas parashikimeve të IGJEO dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, pasditen e sotme reshjet do të prekin qarqet e Shkodrës dhe Kukësit. Të premten, më 13 nëntor, reshje intensive parashikohen në qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile paralajmëron për grumbullime të përkohshme të ujit në zonat urbane, si dhe rrezik për vërshime përrenjsh dhe rrëshqitje dherash në zonat malore.
Njoftimi
͏Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë pasdites së sotme, 12 nëntor, në qarqet Shkodër dhe Kukës priten reshje mesatare deri lokalisht shumë intensive, të shoqëruara me shtrëngata.
Për ditën e nesërme, 13 nëntor, reshje intensive deri lokalisht shumë intensive parashikohen në qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Si pasojë e reshjeve, në disa zona urbane mund të ketë grumbullime të përkohshme të ujit, ndërsa në zonat malore kërkohet vëmendje ndaj vërshimeve të përrenjve dhe rrëshqitjeve të mundshme të dherave.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kërkuar nga strukturat vendore marrjen e masave parandaluese, monitorimin e zonave me risk dhe mbajtjen në gatishmëri të kapaciteteve për ndërhyrje në rast nevoje.
Ftojmë qytetarët të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, veçanërisht në zonat e ekspozuara, dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.
AKMC vijon ndjekjen e situatës dhe koordinimin me strukturat përgjegjëse, me prioritet sigurinë e qytetarëve.