Kushtet e pafavorshme atmosferike kanë detyruar shtyrjen e nisjes së dy trageteve në linjën detare Durrës–Bari dhe anasjelltas, të planifikuara për mbrëmjen e sotme, në orën 22:00.
Sipas njoftimit të Autoritetit Portual Durrës, tragetet F/B “Rigel VII”, në linjën Durrës–Bari, dhe F/B “Rigel III”, në linjën Bari–Durrës, do të nisen nesër, më 13 nëntor, në orën 08:00.
Ndryshimi i orarit është bërë për shkak të kushteve të motit, të cilat nuk lejojnë zhvillimin normal të lundrimit.
Ndërkohë, Autoriteti Portual bën me dije se procesi i check-in dhe imbarkimit të pasagjerëve dhe automjeteve do të vijojë normalisht gjatë ditës së sotme, sipas orareve dhe procedurave të përcaktuara.
Udhëtarëve u kërkohet të paraqiten për imbarkim sipas orarit të parashikuar, pa ndryshime, pavarësisht shtyrjes së nisjes së trageteve.
Për informacione të mëtejshme, pasagjerët mund t’u drejtohen agjencive përkatëse të trageteve ose të konsultojnë njoftimet zyrtare të Autoritetit Portual Durrës.


