Në Itali, ministri i Brendshëm Ervin Demo, dhe kryepolici Skënder Hita, synuan të sjellin modelin italian në Akademinë e Sigurisë në Tiranë.
Gjatë vizitës në Akademinë e Policisë italiane, Hita theksoi se prioritet janë programet e përbashkëta akademike, shkëmbimi i pedagogëve dhe trajnimet e specializuara.
Drejtori i Akademisë italiane, Mario Viola, konfirmoi shkëmbimin e ekspertizës dhe vijimin e bashkëpunimit në programin Master “Hetimi i Krimit”, që pas 3-vjeçarit në Tiranë, studentët e Akademisë e realizojnë në itali.
Në takimin me ministrin e Brendshëm italian Matteo Piantedosi, Demo vuri theksin te përshtatja e organizimit dhe formimit të Policisë shqiptare sipas përvojës italiane
Akademia e Sigurisë së Policisë shqiptare, është e akredituar dhe ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me shumë akademi në rajon, Evropë dhe ShBA.
Ministri Demo trajtoi gjithashtu çështjen e njohjes automatike së certifikatave të lindjes, nga autoritetet italiane, lëshuar nga gjendja civile shqiptare, në formën që shkarkohen e printohen nga e-Albania.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilloi një takim në Romë me homologun e tij italian, Matteo Piantedosi, ku u diskutua për zhvillimin e Akademisë së Sigurisë sipas përvojës italiane, përfundimin e marrëveshjeve në fushën e sigurisë, si dhe njohjen automatike në Itali të certifikatave të lindjes të lëshuara përmes platformës e-Albania.
Një vëmendje të veçantë mori e ardhmja e Akademisë së Sigurisë, me synimin që organizimi dhe formimi profesional i punonjësve të Policisë të mbështeten në përvojën italiane. Bashkëpunimi me institucionet homologe italiane synon përmirësimin e programeve të studimit, forcimin e përgatitjes praktike dhe shkëmbimin e ekspertizës. Në këtë kuadër, u diskutua edhe programi vjetor i trajnimeve, për t’i pajisur punonjësit e Policisë me aftësitë e nevojshme për hetimin, parandalimin e krimit dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
Dy ministrat diskutuan gjithashtu marrëveshjet në fushën e sigurisë, të cilat janë në fazën përfundimtare dhe do të firmosen mes dy vendeve. Këto marrëveshje synojnë të forcojnë më tej bashkëpunimin shqiptaro-italian dhe koordinimin mes strukturave përgjegjëse për sigurinë.
Ministri Demo trajtoi gjithashtu çështjen e njohjes automatike së certifikatave të lindjes, nga autoritetet italiane, lëshuar nga gjendja civile shqiptare, në formën që shkarkohen e printohen nga e-Albania.
Pjesë e bisedimeve ishte edhe intensifikimi i bashkëpunimit policor, përmes shkëmbimit të informacionit në kohë reale, zgjerimit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe koordinimit për identifikimin e kapjen e personave në kërkim. Këto mekanizma synojnë reagim më të shpejtë dhe goditje më efektive ndaj veprimtarisë kriminale në të dy vendet.
Takimi në Romë konfirmoi vullnetin e përbashkët për ta çuar bashkëpunimin shqiptaro-italian në një nivel të ri, duke e shndërruar përvojën dhe mbështetjen italiane në rezultate konkrete për forcimin e institucioneve, luftën kundër krimit dhe, mbi të gjitha, rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e shërbimeve për qytetarët.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka vizituar Akademinë e Policisë në Romë, ku është takuar me drejtuesin e saj, Mario Viola. Në fokus të takimit ishte zgjerimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve në fushën e arsimit dhe trajnimit të punonjësve të policisë.
Gjatë takimit, Hita theksoi se zhvillimi i Akademisë së Sigurisë është një nga prioritetet e tij, ndërsa shprehu synimin për të zgjeruar bashkëpunimin me institucionet italiane përmes programeve të përbashkëta akademike, shkëmbimit të pedagogëve dhe ekspertëve, si dhe trajnimeve të specializuara.
“Një polici profesionale dhe moderne ndërtohet mbi përgatitjen cilësore, integritetin dhe aftësitë e punonjësve të saj. Për këtë arsye, zhvillimi i Akademisë së Sigurisë është një nga prioritetet e mia”, u shpreh Hita.
Nga ana tjetër, drejtori i Akademisë së Policisë italiane, Mario Viola, vlerësoi progresin e Akademisë së Sigurisë në Shqipëri dhe konfirmoi vijimin e mbështetjes përmes literaturës, trajnimeve dhe programit Master.
“Jemi të lumtur që kontribuojmë në fuqizimin e saj. Akademia e Policisë italiane do të vijojë ta mbështesë përmes literaturës, trajnimeve, programit Master dhe çdo nevoje tjetër”, deklaroi Viola.
Në takim mori pjesë edhe rektori i Akademisë së Sigurisë, Ilirjan Mandro, i cili falënderoi palën italiane për mbështetjen dhe theksoi rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit në programin Master “Hetimi i Krimit”, shkëmbimin e lektorëve dhe trajnimin për policimin në komunitet.











Komente
Komento