Mbetje mortore janë gjetur të enjten gjatë aktiviteteve të kërkimit dhe gërmimeve në një lokacion të dyshuar në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës.
Lajmi është bërë i ditur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, i cili ka njoftuar se gjetja është realizuar më 12 nëntor, në kuadër të përpjekjeve për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë.
Sipas njoftimit, aktivitetet e kërkimit në këtë lokacion kishin nisur më 6 nëntor 2026, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor. Megjithatë, gjatë ditës së parë nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite.
Komisioni ka bërë të ditur se mbetjet mortore të gjetura do t’u nënshtrohen procedurave të mëtejshme të ekzaminimit mjekoligjor dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së.
“Sot, më 12 nëntor 2026, në vijim të aktiviteteve të kërkimit dhe gërmimeve në këtë lokacion, janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’u nënshtrohen procedurave të mëtejshme të ekzaminimit mjekoligjor dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së.
Aktivitetet janë realizuar në koordinim ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur, me përkrahjen e Prokurorisë-Departamenti për Krime Lufte, bazuar në informacionet e siguruara për këtë lokacion.
Trajtimi i këtij lokacioni është rezultat edhe i bashkëpunimit rajonal dhe përpjekjeve të përbashkëta për adresimin e rasteve me interes të përbashkët, përfshirë komunikimet me Drejtorinë e Republikës së Kroacisë për Personat e Zhdukur gjatë Luftës Atdhetare, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me familjet e personave të zhdukur me dhunë, Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe qytetarët që kanë kontribuar me informacione të rëndësishme për identifikimin dhe trajtimin e këtij lokacioni.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur shpreh mirënjohjen për kontributin dhe bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe qytetarët e përfshirë në këtë proces, duke ritheksuar përkushtimin për vazhdimin e përpjekjeve për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me dhunë”, thuhet në njoftim.