Arrestohet me urdhër të SPAK drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja. Ai dyshohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, në kuadër të hetimeve për tjetërsimin e rreth 44 mijë metrave katrorë tokë në zonën e Povelçës.

Sipas hetimeve, trualli që fillimisht ishte pronë shtetërore dyshohet se është kaluar në pronësi private dhe më pas u është shitur investitorëve të një projekti fotovoltaik.

Voja, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e drejtuesit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier, është shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë, ku po kryhen procedurat përkatëse.

Në të njëjtën çështje janë arrestuar edhe ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas, Dilaver Shyti, punonjësja e Kadastrës Fjorelo Bida dhe noterja Anila Haxhiu. Ndërkohë, për Arbina Jaupajn është caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”, si dhe ndalimi i daljes jashtë vendit.

Hetimet synojnë të zbardhin të gjithë skemën e dyshuar të kalimit të pronës shtetërore në duar private, si dhe përfshirjen e personave që dyshohet se kanë lehtësuar këtë proces.

Kjo nuk është hera e parë që Arben Voja përballet me akuza për periudhën kur ka ushtruar funksione publike. Në vitin 2025, ai u kallëzua në SPAK për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, pas evidentimit të 36 rasteve të dyshuara të mosllogaritjes së tatimit 15%, me një dëm ekonomik të pretenduar prej 9.5 milionë lekësh.

Gjithashtu, në vitin 2023, një tjetër dosje ndaj tij, që lidhej me shkelje të dyshuara gjatë drejtimit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, përfundoi në gjykatë për shqyrtim.