Netanyahu pranon takimin me Eisenkot, mes tensioneve për Iranin dhe negociatave për qeverinë e re
Kryeministri në detyrë i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pranuar të zhvillojë një takim me liderin e partisë Yesh Atid, Gadi Eisenkot, i cili është ngarkuar me formimin e qeverisë së re.
Takimi do të zhvillohet në Zyrën e Kryeministrit në Jerusalem dhe do të fokusohet në zhvillimet më të fundit diplomatike dhe të sigurisë.
Vendimi vjen vetëm një ditë pasi Netanyahu kishte refuzuar një kërkesë të ngjashme nga Eisenkot.
Në një deklaratë të përbashkët, palët konfirmuan se në takim do të marrë pjesë edhe sekretari ushtarak i kryeministrit, gjeneralmajori Guy Marchesino.
Ky është takimi i parë mes Netanyahut dhe Eisenkotit pas zgjedhjeve të fundit në Izrael.
Takimi zhvillohet në një moment tensionesh politike dhe të sigurisë, ndërsa opozita ka shprehur shqetësime se Netanyahu mund të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Iranit përpara formimit të qeverisë së re.
Më herët gjatë ditës, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se qeveria e përkohshme nuk ka nevojë për miratimin e opozitës për të urdhëruar operacione ushtarake. Ai theksoi se ekzekutivi aktual mund të marrë vendime që lidhen me sigurinë kombëtare, përfshirë veprime në Gaza, Liban, Siri apo edhe ndaj Iranit, nëse rrethanat e kërkojnë.
Sipas Katz, siguria e Izraelit nuk mund të mbetet peng i proceseve politike që po zhvillohen për formimin e qeverisë së re. Ai nënvizoi se vendi ka një kryeministër, një ministër mbrojtjeje dhe një qeveri funksionale që mbajnë përgjegjësinë për vendimet e sigurisë.
Komentet e ministrit erdhën pasi Eisenkot i kishte kërkuar Netanyahut që të shmangte operacionet e panevojshme ushtarake deri në krijimin e kabinetit të ri qeveritar. Në letrën e tij, Eisenkot argumentonte se qeveria aktuale është në një fazë kalimtare dhe nuk gëzon më mbështetjen e shumicës së Knesetit.
Ndërkohë, presidenti Isaac Herzog i ka besuar Eisenkotit mandatin për formimin e qeverisë së re, duke i dhënë atij 28 ditë kohë, me mundësi zgjatjeje edhe për 14 ditë të tjera.
Situata ka nxitur debate të forta politike, veçanërisht pas raportimeve se Kabineti i Sigurisë ka udhëzuar ushtrinë të intensifikojë përgatitjet për një përballje të mundshme me Iranin. Opozita druhet se një përshkallëzim ushtarak mund të ndikojë drejtpërdrejt në procesin politik dhe në përpjekjet për formimin e qeverisë së re.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



