Pesë persona janë qëlluar me armë zjarri në orët e para të së enjtes në lagjen Logan Circle të Uashingtonit, një zonë e frekuentuar dhe që ndodhet rreth 1.6 kilometra larg Shtëpisë së Bardhë.
Të paktën një prej tyre ka humbur jetën, pasi u qëllua brenda një palestre, bëri të ditur një dëshmitar, përcjell AP.
Sipas policisë së Uashingtonit, të shtënat u raportuan në disa pika të zonës.
Ndërkohë, i dyshuari për sulmin është barrikaduar në afërsi të vendit ku ndodhi incidenti i parë, ndërsa forcat speciale SWAT u panë duke ndërhyrë në katet e sipërme të një pallati aty pranë.
Policia u bëri thirrje qytetarëve të shmangin zonën pranë bllokut 1500 të rrugës 15, ku ndodhen një qendër fitnesi VIDA, një kishë episkopale dhe disa ndërtesa banimi.
Një pjesë e madhe e zonës u rrethua nga forcat e rendit, ndërsa shkollat pranë vendngjarjes u vendosën në izolim për arsye sigurie.
Një dëshmitar, James Spellman, i cili ndodhej në palestër pak pas orës 08:00, tregoi se në momentin e të shtënave aty kishte rreth 50 persona.
Ai tha se dëgjoi fillimisht të shtëna dhe më pas pa një person të rrëzohej në dysheme.
“Brenda pak sekondash, një burrë u rrëzua në tokë dhe rreth tij u krijua një pellg gjaku. Një anëtar i palestrës nxitoi për ta ndihmuar. Ai kishte vdekur menjëherë. Ishte qëlluar në qafë”, rrëfeu Spellman.
Sipas dëshmitarit, ai dhe personat e tjerë të pranishëm u larguan me nxitim nga palestra. Ai tha se dëgjoi të shtëna të tjera në rrugën 15, rreth dy të shtëna brenda palestrës dhe pesë ose gjashtë të tjera jashtë saj.
Në vendngjarje u angazhuan forca të shumta policore, ndërsa agjentë të Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve (ATF), si dhe të FBI-së, iu bashkuan hetimeve në mbështetje të policisë lokale.
Deri në publikimin e informacionit nga Associated Press, autoritetet nuk kishin dhënë detaje të mëtejshme mbi identitetin e të dyshuarit apo motivin e sulmit.