Të shtëna me armë pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington, katër të plagosur, policia jep alarmin: Autori fshihet në një apartament
Një incident i rëndë me armë zjarri është raportuar në lagjen Logan Circle, në qendër të kryeqytetit amerikan, Uashington, ku një person i armatosur dyshohet se ka qëlluar drejt të paktën katër qytetarëve.
Sipas informacioneve të raportuara nga CNN, autori i dyshuar është mbyllur brenda një apartamenti.
Autoritetet kanë vendosur masa të menjëhershme sigurie, duke u kërkuar banorëve në zona të gjera të Logan Circle dhe Dupont Circle të qëndrojnë brenda banesave dhe të shmangin daljet deri në një njoftim të mëtejshëm.
Forca të shumta policore ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për të siguruar perimetrin dhe për të vënë situatën nën kontroll.
Ndërkohë, helikopterë policorë kanë fluturuar mbi zonën ku po zhvillohet operacioni, e cila ndodhet rreth 1.5 kilometra larg Shtëpisë së Bardhë.
Sipas dëshmive të raportuara, një efektiv policie u ka bërë thirrje kalimtarëve që po shkonin në punë gjatë orëve të mëngjesit, duke bërtitur: “Ka një person të armatosur!”
Deri në këto momente, nuk ka një informacion të konfirmuar mbi motivet e sulmit apo gjendjen shëndetësore të personave të shënjestruar.
Autoritetet vijojnë operacionin, ndërsa pritet të publikohen detaje të tjera mbi identitetin e personit të armatosur dhe rrethanat e ngjarjes.




