Hoxha në Budapest, Hungaria mbështet integrimin e Shqipërisë në BE përmes bashkëpunimit parlamentar
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim në Parlamentin e Hungarisë, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar dhe mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë vizitës në Budapest, Hoxha u takua me Márton Hajdu, kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme, dhe Dr. Ildikó Éva Sopov, kryetare e Komisionit për Çështjet Evropiane në Asamblenë Kombëtare të Hungarisë.
Ministri shqiptar vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë për integrimin evropian të Shqipërisë, që nga ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit deri në fazën aktuale të negociatave për anëtarësim.
Bashkëbiseduesit diskutuan për aktivizimin e grupeve parlamentare të miqësisë, shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.
Hoxha theksoi se, krahas punës për mbylljen e kapitujve të negociatave, një dialog më i ngushtë mes komisioneve parlamentare të të dy vendeve mund të ndihmojë në përparimin e procesit të integrimit.
Ai nënvizoi gjithashtu rolin e parlamenteve në miratimin e reformave, mbikëqyrjen e zbatimit të tyre dhe ratifikimin e traktateve të anëtarësimit, duke theksuar se integrimi evropian nuk është vetëm përgjegjësi e qeverive.
Sipas ministrit, forcimi i bashkëpunimit parlamentar i jep procesit të zgjerimit një legjitimitet më të madh demokratik dhe ndihmon që përfitimet e integrimit të mbërrijnë te qytetarët.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.






