
Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s kanë paralajmëruar se veprimet gjithnjë e më agresive të Kinës në ujërat në lindje të Tajvanit po kërcënojnë stabilitetin rajonal dhe lirinë e lundrimit. Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të mërkurën vonë, pas një takimi në Paris, ata theksuan se këto aktivitete rrezikojnë edhe sigurinë e transportit detar ndërkombëtar.
Ky është reagimi më i fuqishëm i përbashkët i G7-s deri më tani ndaj veprimeve të Kinës në brigjet lindore të ishullit. Ai vjen pas shqetësimeve që SHBA-ja, Britania, Franca dhe Gjermania kishin shprehur më parë veçmas. Sipas deklaratës së G7-s, aleanca rikonfirmoi kundërshtimin ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në, “veçanërisht përmes forcës ose detyrimit, apo kërcënimit për përdorimin e tyre”.
Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj. Që nga muaji qershor, aktivitetet e Kinës pranë Tajvanit janë shtuar përmes patrullimeve të rregullta të rojës bregdetare. Zyrtarët në Tajvan, i cili i kundërshton pretendimet sovrane të Pekinit, besojnë se Kina po përgatitet për një bllokadë të mundshme detare, duke përdorur njëkohësisht mjete ushtarake, paramilitare dhe civile.
Pekini zyrtar e ka hedhur poshtë reagimin e G7-s. Ministria e Jashtme e Kinës deklaroi të enjten se teksti “shpërfill faktet objektive, ndërhyn në mënyrë të vrazhdë në punët e brendshme të Kinës dhe shpif e njollos qëllimisht imazhin e vendit”. Zëdhënësja e ministrisë, Mao Ning, vlerësoi se deklarata “dëshmon edhe një herë se G7 është një grupim ideologjik që i përmbahet mentalitetit të Luftës së Ftohtë dhe angazhohet në politikën e blloqeve”.
Nga ana tjetër, Zyra presidenciale e Tajvanit e mirëpriti deklaratën e G7-s. Paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin Indo-Paqësor janë çështje thelbësore për sigurinë dhe prosperitetin global, theksoi ajo. Të enjten, presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për “ribashkimin” e plotë të Tajvanit me atdheun dhe u zotua se kjo do të realizohet në mënyrë paqësore. Kina nuk njeh asnjë pretendim të Tajvanit për sovranitet të pavarur.
