E enjte, 12 Nëntor 2026 Dielli i Dimrit deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Putin takon Witkoff dhe Kushner: E vetmja vijë ndarëse me Ukrainën është kufiri shtetëror

Presidenti rus Vladimir Putin ka propozuar organizimin e një operacioni humanitar në qytetin e Kostyantynivka në Ukrainë, me qëllim evakuimin e rreth 500-600 civilëve që, sipas tij, ndodhen ende në zonë.

Propozimi u bë gjatë takimit në Moskë me të dërguarit e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Putin tha se operacioni mund të zhvillohet sipas modelit të një misioni të mëparshëm humanitar në Oleshky, në rajonin e Hersonit.

Sipas tij, do të nevojiten pesë ditë për çminimin e zonës përreth qytetit, ndërsa koordinimi i misionit mund të bëhet nga përfaqësuesit e të drejtave të njeriut të Rusisë dhe Ukrainës.

Reklamë

Kremlini pretendon se kontrollon qytetin dhe është i gatshëm të garantojë sigurinë e operacionit. Këto deklarata vijnë në një kohë kur vijojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

Gjatë takimit, Putin përsëriti qëndrimin e Moskës për çështjen territoriale, duke deklaruar se për Rusinë ekziston vetëm një vijë ndarëse me Ukrainën, kufiri shtetëror.

Ai kërkoi gjithashtu që paqja të jetë e përhershme dhe kritikoi vendet evropiane për ndërprerjen e dialogut me Moskën.

Një tjetër paralajmërim i fortë i presidentit rus lidhej me mundësinë e dislokimit të trupave të huaja në Ukrainë. Putin deklaroi se këto forca do të konsiderohen objektiva legjitime për ushtrinë ruse.

Nga ana tjetër, Steve Witkoff e cilësoi pozitiv klimën e bisedimeve të fundit në Abu Dhabi mes Rusisë dhe Ukrainës, duke përmendur si shenjë progresi marrëveshjen për një shkëmbim të madh të të burgosurve.

Ndërsa Jared Kushner bëri të ditur se SHBA-të kanë nisur diskutimet me vendet evropiane për arkitekturën e ardhshme të sigurisë në kontinent.

Takimi në Moskë është pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për të gjetur një rrugë drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, ndërsa mbeten të thella mosmarrëveshjet për territoret dhe kushtet e një marrëveshjeje paqeje.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.