Përdorni kondicionerin për ngrohje? Pastroni filtrin para sezonit për të kursyer energji
Para se të filloni ta përdorni kondicionerin për ngrohje, është e rëndësishme të kontrolloni dhe pastroni filtrin.
Pas muajve të verës, ai mund të jetë mbushur me pluhur, gjë që pengon qarkullimin e ajrit, ul efikasitetin e pajisjes dhe rrit konsumin e energjisë elektrike.
Sipas Departamentit Amerikan të Energjisë, një pompë nxehtësie që nuk mirëmbahet rregullisht mund të konsumojë 10 deri në 25 për qind më shumë energji sesa një pajisje e mirëmbajtur.
Rekomandohet që filtrat të pastrohen ose të zëvendësohen çdo tre muaj, apo sipas udhëzimeve të prodhuesit.
Për kondicionerët që përdoren si për ftohje, ashtu edhe për ngrohje, mirëmbajtja këshillohet dy herë në vit, para fillimit të secilit sezon.
Ndërkohë, filtrat duhet të kontrollohen afërsisht një herë në muaj dhe të pastrohen sa herë që vërehet grumbullim pluhuri. Kjo mund të nevojitet edhe më shpesh në shtëpitë me kafshë shtëpiake ose kur pajisja ndodhet pranë kuzhinës.
Për ta pastruar filtrin, fillimisht fikeni kondicionerin dhe ndiqni udhëzimet e manualit për ta hequr.
Lajeni me ujë dhe lëreni të thahet plotësisht në një vend me ajrosje, por pa ekspozim të drejtpërdrejtë në diell. Vendoseni sërish vetëm pasi të jetë tharë. Edhe njësia e jashtme duhet kontrolluar dhe pastruar nga gjethet, pluhuri dhe papastërtitë, gjithmonë kur pajisja është e fikur.
Nëse kondicioneri lëshon erë të pakëndshme, shkaku mund të jetë filtri i ndotur, lagështia ose myku në pjesën e brendshme, si dhe kulluesi i bllokuar.
Në rast se ndieni erë djegieje që nuk largohet, shkëputeni pajisjen nga rryma dhe kontaktoni një teknik.
Pastrimi i filtrit mund të bëhet vetë, por kontrolli i gazit ftohës, lidhjeve elektrike dhe pjesëve të brendshme duhet t'u lihet profesionistëve.
Mirëmbajtja profesionale të paktën një herë në vit ndihmon që pajisja të funksionojë në mënyrë të sigurt dhe efikase. /Telegrafi/





























