Dy plagosje me thikë janë shënuar një ditë më parë në Fushë Krujë, në rrethana të ndryshme. Ngjarja e parë ka ndodhur rreth orës 15:00 në ambientet e një lokali, ku pas një konflikti për motive të dobëta, 49-vjeçari Shkëlqim Curaj dyshohet se ka goditur me thikë 46-vjeçarin Aurel Doda. Ky i fundit është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërkohë Shkëlqim Curaj është arrestuar në flagrancë nga policia. Ndërkohë, rreth orës 16:00 është regjistruar një tjetër episod, këtë herë pas një aksidenti rrugor. Pas përplasjes, shtetasi Ardjan Xheka ka mbetur i plagosur me thikë. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në lidhje me këtë rast, policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit Donald dhe Halil Caca, të dyshuar për përfshirjen në ngjarje. Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e të dy plagosjeve.