Prodhuesit kundër barazimit të akcizës së duhanit me cigaret, Laçej: Rrezikohet sektori

Në dëgjesën e zhvilluar në Komisionin për Ekonominë dhe Financat për paketën e re fiskale, përfaqësuesit e sektorit të prodhimit të duhanit kundërshtuan rritjen e parashikuar të akcizës, duke paralajmëruar se kjo masë rrezikon të dëmtojë prodhimin vendas dhe investimet e kryera në sektor.
Sajmir Laçej, përfaqësuesi i sektorit argumentoi se projektligji parashikon një rritje të ndjeshme të akcizës për duhanin e grirë, duke krijuar një diferencë të madhe në raport me akcizën për cigaret. Sipas tij, ndërsa akciza e cigareve rritet me 2.95% çdo vit, deri në vitin 2033 akciza për duhanin vendas parashikohet të arrijë gati trefishin e nivelit aktual.
“Do të ishte shumë efektive nëse ky diskutim do të ishte zhvilluar më herët me Ministrinë e Financave, pasi do të ishin shmangur disa gabime dhe pasaktësi në projektligj. Nuk e di sa efektiv do të jetë Komisioni për Ekonominë dhe Financat për t’i korrigjuar ato.
Për shkak se duhani i grirë që përdoret nga një fashë e caktuar konsumatorësh zë një peshë të papërfillshme në totalin e produkteve të duhanit, rreth 1.7% për produktin vendas dhe rreth 2% për atë të importit, pa dashur, akciza për prodhimin vendas është dyfishuar dhe trefishuar në harkun e gjashtë viteve, sipas kalendarit të propozuar.
Për këtë qëllim, dëshiroj të paraqes me detaje dokumentet shoqëruese të masave të propozuara nga qeveria, Ministria e Financave dhe relatorët në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe parashikimet që përmban ky projektligj.
Qëllimi i këtij projektligji është përafrimi me Direktivën 2011/64.
Në tekstin e propozuar, konkretisht në faqen 6 të relacionit shoqërues të masës së propozuar, thuhet se respektohet niveli minimal i akcizës për duhanin e grirë hollë, i cili është 6 euro për kilogram.
Ndërkohë, sipas tabelës, niveli i akcizës shkon në 130 euro për kilogram në harkun e gjashtë viteve. Ky është trefishi i nivelit të akcizës për duhanin e prodhimit vendas dhe rreth 70% më shumë për duhanin e importuar.
Pra, kemi një diferencë shumë të madhe midis cigareve dhe duhanit të grirë.
Ndërsa akciza e cigareve rritet me 2.95% çdo vit, deri në vitin 2033 akciza për duhanin e prodhimit vendas rritet gati trefish.
Kjo është një anomali që deputetët mund ta identifikojnë lehtësisht, nëse i referohen dokumentacionit shoqërues të projektligjit”.
Barazimi i akcizës së duhanit me atë të cigareve është një tjetër anomali që duhet korrigjuar, sipas Laçej për shkak të vetë qëllimit të taksimit.
“Produktet që kanë një nivel më të ulët përpunimi nuk mund të taksohen njësoj me ato që kanë një nivel më të lartë përpunimi, siç janë cigaret.
Kjo është e verifikueshme edhe në direktivë, ku raporti midis nivelit të akcizës për duhanin e grirë hollë dhe cigaret është 1 me 2.
Rekomandimi është 6 euro për kilogram për duhanin dhe minimalisht 115 euro për kilogram për cigaret.
Për sa i përket historikut të mbështetjes së duhanit të prodhimit vendas, në Shqipëri ekziston një fenomen prej rreth 30 vitesh: kultivimi i duhanit, për shembull në zonën e Elbasanit, ka qenë në masë të madhe i painformalizuar.
Nuk ka një shembull në rajon apo në botë ku prodhimi vendas të formalizohet duke rritur njëkohësisht, në mënyrë kaq drastike, nivelin e akcizës. Kjo e bën të pamundur vazhdimësinë e këtij aktiviteti.
Strategjia e ndjekur nga qeveria shqiptare për formalizimin e prodhimit të duhanit ka qenë mbledhja dhe organizimi i fermerëve për ta grumbulluar prodhimin në qendra përpunimi dhe tharjeje. Kjo strategji ka dhënë rezultate.
Disa biznese kanë investuar miliona euro në këtë sektor, duke blerë makineri moderne. Ato kanë marrë me qira 750 hektarë tokë në zonën e Cërrikut dhe në Shkodër.
Këto investime janë realizuar me miratimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe të pushtetit vendor.
Tani, pa pritur, këto biznese rrezikojnë të dalin nga tregu, sepse barazimi i nivelit të akcizës së duhanit me atë të cigareve i bën të pakonkurrueshme. Fasha e konsumatorëve që përdor këto produkte nuk mund ta përballojë një rritje dy deri në trefish të çmimit.
Ky është një nga efektet”, argumentoi ai.
Pasoja e dytë është se i gjithë sektori i formalizuar gjatë pesë viteve të fundit është tkurrur me 20%, pavarësisht se sasia e duhanit të prodhuar është ulur ndjeshëm.
“Nëse kjo tendencë vijon me të njëjtin ritëm, sektori rrezikon të shkojë drejt zhdukjes, duke zeruar edhe rezultatet e formalizimit të arritura gjatë pesë viteve të fundit.
Direktiva parashikon gjithashtu trajtime të veçanta për zona të caktuara gjeografike. Për shembull, në rastin e Azoreve dhe Madeirës në Portugali, ekzistojnë precedentë për masa të përshtatura në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian. Këto raste mund të shërbejnë si analogji edhe për zonat e Cërrikut dhe Shkodrës, me qëllim mbështetjen e prodhimit vendas të duhanit.
Prandaj, kërkojmë që masat që do të ndërmerren të mos jenë drastike dhe të mos cenojnë këtë sektor që është formalizuar. Ato nuk duhet të deformojnë as kërkesat e direktivës, për të cilën është propozuar ky projektligj dhe që, sipas relacionit shoqërues, synon pikërisht përafrimin me legjislacionin europian.
Pra, nuk bëhet fjalë për përafrim, por për deformim. Nuk bëhet fjalë për formalizim, por për cenim të sigurisë juridike të bizneseve që kanë besuar te strategjia për formalizimin e këtij sektori, përmes marrjes me qira të qindra hektarëve tokë dhe investimeve prej mbi 6 milionë eurosh në makineri dhe pajisje”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









