Prokuroria e Posaçme, SPAK paraqiti të enjten konkluzionet përfundimtare në çështjen penale në ngarkim të kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje. Prokuroria kërkoi dënimin e Shkrelit me 1 vit burg, si dhe ndalimin e tij për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Procesi ndaj Shkrelit u zhvillua me procedurën e gjykimit të zakonshëm.
Sipas SPAK, Shkreli ka premtuar dhe kryer investime gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, në këmbim të votave të banorëve të favor të Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë, forcë politike e udhëhequr nga Tom Doshi.
Prokuroria argumenton se ai ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore, në mbështetje të Partisë Socialdemokratie të Shqipërisë, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike. Nga hetimet ka rezultuar se ky investim është realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, ndërkohë që kryebashkiaku socialist, u ka kërkuar banorëve të votonin subjektin politik të preferuar prej tij.
Kristian Shkreli i fitoi zgjedhjet për pozicionin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës në maj të vitit 2023, nën siglën e Partisë Socialiste. Në një takim gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme vitin e kaluar, në fillim të muajit maj, kryeministri Edi Rama i tërhoqi vëmendjen Shkrelit, duke i thënë që të mos luante me dy porta.






