Spitali rikonstruksion pas 57 vitesh në Pogradec, investimi parashikon ambiente dhe paisje të reja
Pas 57 vitesh nga ndërtimi, Spitali i Pogradecit po i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, një ndërhyrje që synon transformimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e kushteve për pacientët dhe personelin mjekësor. Ky është investimi më i madh në godinën e spitalit që prej vitit 1969, me vlerë rreth 230 milionë lekë.
Përveç rehabilitimit të ambienteve, projekti parashikon edhe zgjerimin e shërbimeve diagnostikuese.
“Një nga risitë më të rëndësishme është vendosja e skanerit, një shërbim që aktualisht mungon në këtë spital dhe që do t’u japë mundësi pacientëve të kryejnë ekzaminimet në Pogradec, pa qenë e nevojshme të udhëtojnë drejt Korçës apo spitaleve të tjera”, tha Erion Thëngjilli, drejtor i spitalit Pogradec.
Një tjetër ndërhyrje e rëndësishme lidhet me zgjidhjen e problematikës së infrastrukturës së Maternitetit, godina aktuale e të cilit prej kohësh është kthyer në shqetësim për qytetarët.
“Në kuadër të projektit, shërbimi Obstetrikë-Gjinekologjisë do të transferohet gjatë vitit 2027 në ambiente të reja brenda kompleksit spitalor. kjo do të jetë një zgjidhje e përkohshme, deri në ndërtimin e godinës së re të Maternitetit, projekti i së cilës parashikohet të përfundojë në vitin 2028”, shtoi Thëngjilli.
Rikonstruksioni i plotë i spitalit, pajisja me teknologji të re diagnostikuese dhe ndërtimi i Maternitetit të ri ju krijojnë banorëve të qytetit dhe zonave përreth më shumë mundësi për të marrë kujdes shëndetësor pranë vendbanimit të tyre.




