IKM kërkon shtyrjen e ndryshimeve për dividendin dhe pragun e TVSH-së deri në vitin 2029
Kryetari i Institutit të Kontabilistëve të Miratuar (IKM), Sotiraq Dhamo, gjatë seancës në Komisionin parlamentar, ndryshimet e paketës fiskale i konsideroi të pakonsultuara, të ngjashme me llogaritje aritmetike, që cenojnë qëndrueshmërinë e sistemit tatimor dhe planet e biznesit, si dhe kontratat e tyre.
Efekti, sipas Dhamos, do të ndihet deri në periudhën afatmesme.
“Vlerësojmë rregullimin e tatimit mbi pagat dhe uljen e TVSH-së për ushqimet. Por, pavarësisht këtyre, konstatojmë se nga qeveria është bërë një përpjekje për të ulur një taksë dhe për ta kompensuar atë me një tjetër rritje. Është bërë një llogaritje aritmetike, por jo një politikë e mirëfilltë tatimore. Në fund, bilanci është pozitiv për të ardhurat, por cenohet parimi i qëndrueshmërisë dhe parashikueshmërisë së sistemit tatimor.
Diskutimet për ndryshime nisin që në fillim të vitit, vijojnë me konsultime. Por bizneset kanë bërë buxhetet dhe kontratat për vitin 2027 dhe do të gjenden përballë vendimeve që do t’i detyrojnë të devijojnë”.
Dhamo u ndal në efektet për secilën masë. Sipas tij, rritja e tatimit mbi dividendin rrit barrën tatimore progresive të bizneseve. Dhamo tha se do të jemi në disavantazh me vendet e rajonit për të tërhequr investime të huaja, por edhe krijohet rreziku për të larguar investitorët e pranishëm.
“Rëndohen edhe bizneset në Shqipëri. SHPK-të kanë prirjen të kthehen në persona fizikë. Duket sikur po goditen bizneset shqiptare, ndërsa kompanitë e huaja mund të përjashtojnë dividendin nga taksimi i dyfishtë. Kompanitë shqiptare s’e bëjnë dot këtë gjë. Kjo do të rrisë barrën e tyre dhe do të sjellë atë që u diskutua edhe kur norma u vendos në 8%. Pra, qeveria kundërshton argumentet e saj që përdori për uljen e dividendit. Të mos ndryshojë deri në vitin 2029 politika për dividendin është propozimi ynë. Ne jemi për këtë, pasi ndihmon në marrjen e vendimeve të duhura të bizneseve.
Nëse kjo nuk arrihet, të bëhet e shkallëzuar, si fillim të jetë në 10%. Më pas, rritja të jetë e përshkallëzuar, duke parë avantazhet me vendet e rajonit.
Sa u përket parapagimeve të tatimfitimit, ato janë parapagime dhe, si të tilla, nuk mund të quhen detyrim tatimor. Nëse bëjmë parapagime, nuk kemi një detyrim tatimor të përfunduar. Edhe nëse supozojmë se ato përbëjnë detyrim, parapagimet duhet të trajtohen sipas natyrës së tyre. Nuk mund të justifikojmë në ligj dobësitë e administratës në mbledhjen e tatimeve përmes kamatave dhe gjobave”.
Dhamo: Rritja e TVSH-së në 21% do të ketë efekt kaskadë
Kontabilisti Sotiraq Dhamo tha se rritja e TVSH-së standarde në 21% do të ketë efekte zinxhir dhe do të ndikojë edhe te produktet e shportës ushqimore, pasi pjesa më e madhe e tyre janë produkte të përpunuara.
“Duhet të tregohet kujdes kur ulet TVSH-ja në 6% për shportën ushqimore, pasi duhet të merren në konsideratë edhe nënproduktet dhe lëndët e para. A do të arrihet ulja e çmimeve nëse nuk ulet TVSH-ja për të gjithë zinxhirin? Mendojmë se nuk do të ketë efekt në uljen e çmimeve.
Një produkt me çmim 40 lekë, me TVSH 21%, do të kushtojë 44.4 lekë, por në treg do të shitet 50 lekë.
Kërkojmë që TVSH-ja standarde të mos rritet me 1%. Jemi gjithashtu kundër rritjes së TVSH-së për sektorin e turizmit, pasi kjo dëmton bizneset që kanë investuar në këtë sektor”.
IKM kundër uljes së pragut të TVSH-së, kërkon zbatim me faza deri në vitin 2029
Sa i përket uljes së pragut të regjistrimit në TVSH në 5 milionë lekë, Sotiraq Dhamo tha se kontabilistët janë kundër ndryshimit aktual.
“Ne mendojmë se kufiri duhet të jetë sa më i ulët që të jetë e mundur, deri në zero, nëse administrata arrin të mbulojë kostot e mbledhjes së tatimit. Përgjysmimi i pragut është bërë pa një argument të qartë. Nuk është marrë kufiri maksimal i parashikuar nga direktiva e BE-së, prej 85 mijë eurosh. Pse nuk është marrë ky kufi maksimal, por propozohet një prag që është i vështirë për t’u zbatuar?
Kostoja për biznesin do të jetë e lartë. Ai është i papërgatitur dhe koha në dispozicion është e pamjaftueshme. Kjo do të rrisë tendencën për të shmangur regjistrimin në skemën e TVSH-së.
Një pjesë e fermerëve që do të përfshihen në këtë skemë nuk do të përfitojnë më nga kompensimi i TVSH-së, pasi do të kalojnë në skemën normale. Shumë prej blerjeve të tyre mund të zbriten, por ata nuk mund të zbresin TVSH-në për pagesat e shërbimeve të traktorëve dhe punimin e tokës. Kjo do t’i rëndojë fermerët.
Imagjinoni një fermer që realizon një xhiro prej 5 apo 6 milionë lekësh dhe që duhet të mbajë një sistem kontabiliteti për t’u përballur me kostot administrative të skemës së TVSH-së.
Ne propozojmë që procesi të nisë në vitin 2028, duke marrë në konsideratë kufirin e përcaktuar nga BE-ja, prej 85 mijë eurosh, në mënyrë që të ulet numri i subjekteve që preken nga ky ndryshim. Më pas, në vitin 2029, të vendoset pragu përfundimtar, duke analizuar me kujdes sa biznese preken dhe cili duhet të jetë niveli i tij. Pra, nëse do të bëhet kjo ulje e pragut, ajo duhet të zbatohet me faza”, pohoi Dhamo.
Gjatë seancës, ai u ndal edhe te ndryshimet e ligjit “Për taksat kombëtare”, ku parashikohet transferimi i taksës së qarkullimit te taksa e mjeteve. “Kjo është mënyra më e keqe, pasi do të dëmtojë individët që përdorin më pak automjetin. Mënyra më e mirë për një politikë më të drejtë do të ishte ulja e taksës së qarkullimit nga 27 lekë për litër në 10 lekë për litër”, pohoi ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









