Shumë njerëz zgjedhin të dalin në pension në moshën 65-vjeçare, por Giorgio Moroder kishte plane të tjera. Kompozitori dhe producenti italian nisi të performonte si DJ në moshën 73-vjeçare dhe, gati 50 vite pasi ndryshoi tingullin e muzikës dance, në moshën 86-vjeçare po përgatitet të ngjitet në një prej skenave më të mëdha muzikore në botë.

Moroder është një prej emrave surprizë të Coachella 2027, ku do të jetë pjesë e programit të së premtes, krah emrave të njohur si Dua Lipa, Madonna dhe Peggy Gou.

Organizatorët publikuan më 10 nëntor listën e artistëve që do të performojnë në dy fundjavat e prillit. Në krye të festivalit janë Dua Lipa, SZA dhe Tame Impala, ndërsa në listë spikasin gjithashtu Madonna, Weezer, Phoebe Bridgers dhe Daddy Yankee.

I konsideruar si “babai i disko-s”, Moroder ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës. Në vitin 1977, ai prodhoi këngën ikonike të Donna Summer, “I Feel Love”, duke përdorur thuajse tërësisht sintetizatorë. Një krijim që ndryshoi drejtimin e muzikës dance dhe ndikoi në zhvillimin e muzikës elektronike moderne.

Bashkëpunimi i tij me Donna Summer solli edhe hite të tjera të pavdekshme si “Love to Love You Baby” dhe “Hot Stuff”. Ndërkohë, kontributi i tij në kinematografi u vlerësua me tre çmime Oscar, për muzikën e filmave “Midnight Express”, “Flashdance” dhe “Top Gun”.

Mes krijimeve të tij më të njohura janë gjithashtu “Call Me” nga Blondie dhe “Flashdance… What a Feeling” nga Irene Cara.

Ndikimi i Moroder nuk u ndal me brezin e artistëve të viteve ’70 dhe ’80. Ai frymëzoi një brez të tërë krijuesish të muzikës elektronike, ndërsa Daft Punk i kushtoi edhe një këngë, “Giorgio by Moroder”, në albumin e vlerësuar me Grammy, “Random Access Memories”.

Në vitin 2015 publikoi albumin “Déjà Vu”, në bashkëpunim me emra si Kylie Minogue, Britney Spears, Sia dhe Charli XCX. Gati gjysmë shekulli pas revolucionit që solli në muzikën dance, Giorgio Moroder vazhdon të jetë aktiv dhe të ngjitet në skena ndërkombëtare. Këtë herë, historia e tij muzikore do të takohet me yjet e një brezi të ri në Coachella 2027.