Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për vrasjen e 62-vjeçarit Urim Fiku në Dibër, ngjarje për të cilën ndodhen pas hekurave bashkëshortja e viktimës, Sadete Fiku, dhe djali i tyre, Gazmir Fiku.

Një nga elementet që po shqyrtohet nga grupi hetimor është një bisedë mes nënës dhe të birit, e zhvilluar në ambientet e shoqërimit të komisariatit, ku dyshohet se ishin vendosur pajisje përgjimi.

Sipas informacioneve të bëra publike, gjatë qëndrimit në polici, Sadete Fiku i është drejtuar djalit të saj duke kërkuar të kuptojë se si kishin përfunduar në atë situatë.

“Çfarë ndodhi kështu, si përfunduam kështu?”, mësohet ta ketë pyetur ajo.

Por përgjigjja e Gazmir Fikut ka qenë e shkurtër: “Mos fol tani, sqarohemi kur të dalim”.

Sipas gazetarit Elton Qyno i riu më pas i ka bërë një shenjë nënës së tij, duke i lënë të kuptojë se biseda e tyre mund të ishte duke u regjistruar. Pas këtij momenti, komunikimi mes tyre ka vijuar me tema të tjera, pa u ndalur te rrethanat e vdekjes së 62-vjeçarit.

Kjo sjellje ka tërhequr vëmendjen e hetuesve, të cilët po përpiqen të rindërtojnë dinamikën e plotë të krimit dhe të përcaktojnë rolin e secilit person të dyshuar.

Zbulimi i kallashnikovit dhe pista e ndjekjes së viktimës

Paralelisht me analizimin e dëshmive dhe komunikimeve, policia ka vijuar kontrollet në pronën ku ndodhi ngjarja, duke zbuluar një armë automatike të fshehur në kasollen pranë banesës.

Në folenë e fishekut të kallashnikovit është konstatuar një plumb, ndërsa arma është sekuestruar për ekzaminime të mëtejshme.

Kontrolli i dytë është kryer pasi hetuesit kishin zbuluar më herët tri gëzhoja automatiku në afërsi të vendit të krimit. Kjo ka ngritur dyshimet se gjatë sulmit ndaj Urim Fikut mund të jenë përdorur dy armë zjarri, një pistoletë dhe një kallashnikov.

Një tjetër element që po analizohet është pozicioni ku janë gjetur gëzhojat. Fakti që ato ndodheshin në largësi të ndryshme nga njëra-tjetra ka orientuar hetuesit drejt hipotezës se viktima mund të jetë përpjekur të largohet me vrap, ndërsa autori e ka ndjekur duke qëlluar në drejtim të tij.

Sipas kësaj piste, 62-vjeçari dyshohet se është goditur nga një plumb në shpinë dhe është rrëzuar. Më pas, agresori mund ta ketë sulmuar edhe me sëpatë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kokë.

Megjithatë, kjo dinamikë mbetet ende në fazën e verifikimit dhe nuk është konfirmuar përfundimisht nga ekspertizat.

Plumbi apo goditja me sëpatë? Ekspertiza pritet të përcaktojë shkakun e vdekjes

Një nga çështjet kryesore që kërkon përgjigje është shkaku i saktë i vdekjes së Urim Fikut.

Prokuroria dhe policia e Dibrës janë në pritje të rezultateve të ekspertimit mjeko-ligjor, i cili pritet të përcaktojë nëse 62-vjeçari ka humbur jetën nga plaga e shkaktuar prej armës së zjarrit apo nga dëmtimet e rënda në kafkë, që dyshohet se janë shkaktuar me sëpatë.

Njëkohësisht, ekspertët do të krahasojnë gëzhojat e sekuestruara në vendngjarje me armët e gjetura gjatë kontrolleve, për të verifikuar nëse ato janë përdorur në krim.

Hetuesit në kërkim të një personi të tretë

Ndërkohë, hetimi mund të zgjerohet edhe ndaj personave të tjerë. Autoritetet kanë ngritur dyshime se në ngjarje mund të jetë përfshirë një person i tretë, i cili dyshohet se banon në afërsi të familjes Fiku.

Policia po punon për identifikimin dhe lokalizimin e tij, ndërsa mbetet për t’u sqaruar nëse ka pasur rol të drejtpërdrejtë në vrasje apo në rrethana të tjera që lidhen me krimin.

Deri tani, të vetmit persona të arrestuar për ngjarjen janë bashkëshortja dhe djali i viktimës, Sadete dhe Gazmir Fiku, për të cilët gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Hetimet vijojnë për të zbardhur motivin, mënyrën e ekzekutimit dhe personat përgjegjës për vrasjen e 62-vjeçarit, ndërsa dy të arrestuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.