AKTUALITET

Skandali me mbetjet toksike, Ministria e Mjedisit i heq “KURUM”-it lejen mjedisore

10:40 - 12.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministria e Mjedisit ka shfuqizuar lejen mjedisore të kompanisë KURUM International për aktivitetin e saj në Kombinatin Metalurgjik në Bradashesh të Elbasanit. Vendimi është firmosur nga ministri Sofjan Jaupaj më 3 nëntor 2026, në një kohë kur kompania është përfshirë edhe në hetimet për skandalin e 102 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme, të cilët u nisën drejt Tajlandës dhe u rikthyen në Shqipëri në tetor të vitit 2024.

Sipas dokumentit të siguruar nga EKOFIN.al, ministri Jaupaj ka firmosur urdhrin nr. 540, përmes të cilit shfuqizohet leja mjedisore e tipit A, me numër PN-3843-09-2016, e lëshuar në shtator të vitit 2016 për KURUM International.

  • foto galeri
  • foto galeri

Vendimi përfshin një sërë aktivitetesh industriale që kompania ushtron në Kombinatin Metalurgjik, mes të cilave prodhimin e gizës dhe çelikut, përfshirë shkrirjen primare dhe sekondare, përpunimin e metaleve ferroze dhe funksionimin e fonderive.

Në listën e aktiviteteve përfshihen gjithashtu përdorimi i gazit natyror aromatik ose gazit natyror të lëngshëm (GNL), prodhimi i gëlqeres në furra rrotulluese, si dhe përpunimi dhe saldimi i metaleve.

Shfuqizimi i lejes mjedisore përbën një zhvillim të rëndësishëm për aktivitetin e KURUM-it në Elbasan, pasi leja e tipit A është një nga autorizimet kryesore për ushtrimin e veprimtarive industriale me ndikim të konsiderueshëm në mjedis.

Vendimi i Ministrisë së Mjedisit vjen ndërkohë që emri i kompanisë është përmendur në hetimet e Prokurorisë së Durrësit për çështjen e 102 kontejnerëve me mbetje të dyshuara të rrezikshme. Ngarkesa u nis nga Shqipëria drejt Tajlandës, por u kthye në vend në tetor të vitit 2024, duke shkaktuar një debat të gjerë mbi menaxhimin dhe kontrollin e mbetjeve industriale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.