Familjes së SL Roadster pritet t’i shtohet një version që i jep më shumë përparësi rehatisë dhe përvojës luksoze në timon.
Gjatë ceremonisë së çmimeve “Golden Steering Wheel” në Berlin, drejtori ekzekutiv i Mercedes-Benz, Ola Källenius, konfirmoi se modeli do të prezantohet në vitin 2027, krahas varianteve ekzistuese AMG dhe Maybach.
Të lidhura
None found
Versioni i ri do të zërë një vend mes AMG SL, i përqendruar te performanca sportive, dhe Maybach SL 680, i orientuar drejt luksit maksimal. Sipas Auto Bild, ai synon klientët që duan performancë, rehati dhe elegancë, pa karakterin shumë sportiv të AMG-së ose luksin ekskluziv të Maybach.
Në fotografitë e një prototipi të kamufluar dallohen ndryshime në pamje, mes tyre logoja tradicionale me yllin trekëndësh dhe dritat me elemente në formë ylli.
Për motorin, raportohet se Mercedes-Benz mund të mos përdorë motorin me katër cilindra të SL 43 dhe po shqyrton një motor me gjashtë cilindra në linjë. Këto të dhëna nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht.
Prodhuesi gjerman nuk ka bërë të ditur çmimin, fuqinë apo specifikimet teknike të modelit të ardhshëm.
Mercedes-Benz parashikon të prezantojë shtatë modele të reja gjatë vitit 2027. SL Roadster është pjesë e kësaj strategjie për zgjerimin e ofertës.








