Samiti në Dublin, Shkodrani: Rama pritet të takohet me Costën dhe Melonin
Kryeministri Edi Rama merr pjesë sot në samitin e nëntë të Komunitetit Politik Europian, që zhvillohet në Dublin të Irlandës. Gazetarja Denada Shkodrani, në një lidhje të drejtpërdrejtë për RTSH24, ka përcjellë të rejat e fundit nga ky takim, ku në fokus janë siguria e Europës, zgjerimi i Bashkimit Europian dhe lufta kundër kërcënimeve hibride. Shkodrani bëri me dije se në samit janë të pranishëm liderë nga vendet europiane, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe shtete kandidate për anëtarësim në BE. Mes tyre janë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
“Sot mbahet në Dublin samiti i Komunitetit Politik Europian, i nënti për nga radha dhe mbahet në vendin i cili kryeson edhe presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Kryeministri Edi Rama është pjesë e këtij samiti. Nisma e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për të mbledhur së bashku jo vetëm vendet anëtare të Bashkimit Europian, 27 vendet anëtare, por edhe vende të tjera aspirante për t’iu bashkuar Unionit, përfshirë këtu vendet e Ballkanit Perëndimor. Pritet që kryeministri Edi Rama të mbërrijë rreth orës 10:27 minuta. Ndërkaq kanë mbërritur një pjesë e liderëve, përfshirë këtu edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Janë më shumë se 500 përfaqësues të shteteve anëtare të pranishëm dhe më shumë se 500 përfaqësues të medias të akredituar për të përcjellë punimet e këtij samiti të rëndësishëm, i cili ka në fokus jo vetëm sigurinë e Europës, zgjerimin e saj, por gjithashtu edhe përballjen që Bashkimi Europian dhe vendet e tjera që i bashkohen këtij samiti duhet t’i bëjnë luftës hibride, sulmeve kibernetike dhe dezinformimit”, tha Shkodrani.
Gazetarja theksoi se në axhendë janë edhe çështjet që lidhen me sigurinë energjetike dhe luftën në Ukrainë, ndërsa vendet europiane vijojnë mbështetjen për Kievin.
“Çështje që kanë të bëjnë me sigurinë energjetike, por edhe me luftën në Ukrainë dhe Rusi. Pasi prej më shumë se katër vitesh Unioni Europian ka siguruar mbështetje jo vetëm me fonde, por edhe mbështetje ushtarake dhe politike për Ukrainën, pasi ajo së bashku me Moldavinë janë duke ecur me ritme të shpejta drejt përmbushjes së detyrimeve të tyre për anëtarësim në Bashkimin Europian. Gjithashtu, pararojë e këtij procesi të zgjerimit mbetet Shqipëria dhe Mali i Zi”, shtoi ajo.
Një pjesë e rëndësishme e raportimit iu kushtua procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Sipas gazetares, vendi ynë synon të mbyllë gjashtë kapituj të tjerë deri në fund të këtij viti, ndërsa gjatë vitit të ardhshëm pritet të përqendrohet volumi më i madh i punës.
“Dua të theksoj, Bruna, që deri në fund të këtij viti Shqipëria pritet të mbyllë edhe gjashtë kapituj të tjerë. Ndërkaq, gjatë vitit të ardhshëm mbetet të bëhet puna kryesore dhe volumi më i madh i kësaj pune, pasi parashikohet të mbyllen rreth 23 kapituj bashkë me dy më kryesorët, kapitujt kryesorë që shkojnë në total në 25”, tha gazetarja.
Ajo shtoi se Shqipëria synon që gjatë vitit 2028 t’u kërkojë vendeve anëtare ratifikimin e marrëveshjes së aderimit. Gjatë qëndrimit në Dublin, kryeministri Edi Rama ka parashikuar takime me drejtues të institucioneve europiane dhe homologë të tij, mes tyre Antonio Costa dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni.
“Gjatë qëndrimit këtu në punimet e këtij samiti, kryeministri Rama ka parashikuar takime me Antonio Costën, homologen e tij italiane Meloni, me kryeministrin e vendit pritës dhe me përfaqësues të tjerë të shteteve anëtare. Ndërkaq, zoti Rama mbërriti këtu në Irlandë, në Dublin, pas një takimi dhe pjesëmarrjes së tij në Forumin e Paqes të mbajtur në Paris, ku pati një takim të posaçëm me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, që është nismëtari i mbajtjes së punimeve të këtij formati”, nënvizoi Shkodrani.
Gjatë lidhjes direkte, gazetarja bëri të ditur se në Dublin ndodhet edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ndërsa Shqipëria po përgatitet për organizimin e samitit të ardhshëm të Aleancës.
“Po Bruna, unë shikoj që sapo ka mbërritur kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Ndërkaq është gjithashtu i pranishëm jo vetëm presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, por edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Dhe sikurse e theksoi zoti Rutte gjatë takimit që patëm me kryeministrin Edi Rama rreth një javë më parë në selinë e NATO-s në Bruksel, Shqipëria po përgatitet të mbajë samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili do të organizohet në Shqipëri në një format ndryshe nga të tjerët”, shtoi Shkodrani. Sipas gazetares, ndryshimi i mundshëm në organizimin e samitit lidhet edhe me diskutimet për kostot e larta të këtyre aktiviteteve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



